Kryesore Rama fton të huajt të garojnë për Shqipërinë: S’do iu kërkojmë të...

Rama fton të huajt të garojnë për Shqipërinë: S’do iu kërkojmë të ndryshoni emrin, siç bëri Greqia me Luan Shabanin

Medalistët olimpikë, mundësit Chermen Valiev dhe Islam Dudaev kanë përfituar bonus 5 milionë Lekë për suksesin e arritur në Paris 2024. Në një ceremoni të mbajtur në nder të medalistëve shqiptarë, ministrja Ogerta Manastirliu ka thënë se janë të angazhuar për të investuar në infrastrukturën sportive në vend dhe po ashtu të mbështesin direkt me një sistem shpërblimi financiar për sportistët më të mirë.

I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryeministri Rama, i cili tha se ndihet shumë krenar që mundësit Chermen Valiev dhe Islam Dudaev përfaqësojnë Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria mirëpret dhe sportistë të tjerë nga të gjitha vendet e botës, teksa theksoi se nuk do të ju kërkojnë të ndryshojnë emrin. Për deklaratën e tij, kryeministri bëri një paralelizëm me rastin e Luan Shabanit, për të cilin tha se Greqia i kërkoi ta ndryshonte emrin.

Edi Rama: Nëse ka sot Greqia akoma sportistë që garojnë në olimpiadë, apo që garojnë në nivele të larta me kombëtaren në peshëngritje, kjo i detyrohet dallëndysheve të para që ishin shqiptarë, Luan Shabani. Kur Luan Shabani i solli Greqisë medaljen e artë, nuk i tha njeri që ky nuk është i joni, por përkundrazi i kërkuan ta bënin dhe emrin sikur e kishte grek. Këtyre 2 djemve i urojnë që të na sjellin të tjera medalje, këtu janë njësoj dhe këto qytetarë të Republikës së Shqipërisë si ata që kanë lindur këtu dhe patjetër që askush nuk na ndalon që të jemi shumë krenarë për medaljet e tyre. Janë medalje të shumta në boks, edhe në turne ndërkombëtarë të sporteve të tjera që nuk po zgjatem, por po them vetëm kaq që të ndërtosh një lëvizje sportive që arrin të ngjitet në nivele të konkurrojë me dinjitet.

Jemi shumë krenarë të ju kemi këtu bashkë me ne. Na vjen shumë mirë që ju ndiheni mirë me fanellën e Shqipërisë edhe duam që jo vetëm të jeni frymëzim, por edhe të angazhoheni dhe më pas që sa më shumë të tjerë më të rinj të përfitojnë nga edhe nga eksperienca juaj, t’i stërvisni ata. Keni kohë dhe për këtë. Patjetër, mirëpresim dhe të tjerë nga të gjitha vendet e botës, nuk i kërkojmë të ndryshojmë emrin, as të ndryshojë ngjyrën e lëkurës, as të ndryshojë asgjë tjetër, na vjen shumë mirë kur mësojnë gjuhën siç e keni mësuar dhe ju. Nuk do të jetë e lehtë, por edhe gjuha që dini ju nuk është dhe aq e lehtë dhe besoj se aty e keni njëlloj stërvitje për ta mësuar shqipen më shpejt nga se mund ta mësojnë italianët për shembull.