Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të mërkurë për të folur edhe njëherë për iniciativën Open Balkan dhe për kundërshtitë që ajo ka hasur në Tiranë dhe më së shumti në Prishtinë.
Rana reagoi në Twitter duke iu referuar një artikulli të “Gazeta Express” ku qeveria gjermane mendohet të ketë thënë se çfarëdo bashkëpunimi është fitimprurës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës.
Rama thotë se dera është e hapur për të gjithë, duke nënkuptuar edhe njëherë Kosovën, por thotë se askush nuk do të përfshihet me zor. Kreu i qeverisë u shpreh se Open Balkan është rruga e të ardhmes dhe nuk do të qëndrohet duke pritur sa t’u mbushet mendja atyre që nuk e kuptojnë këtë gjë.
Edi Rama: “ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 Tetor! Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes.