Politika Rama, homazh për të atin: Çdo 31 korrik e kujtoj me sytë...

Rama, homazh për të atin: Çdo 31 korrik e kujtoj me sytë e lagur, vdekja e tij më ndryshoi rrugëtimin…

Kryeministri Edi Rama ka bërë një homazh për babain e tij i cili ndërroi jetë 22 vite më parë më 31 korrik.

Ai thotë se vdekja e tij e solli në Tiranë dhe i ndryshoi edhe rrugëtimin teksa tregon se çdo 31 korrik e kujton me sytë e lagur dhe i del para buzëqeshja paqësore e tij.

Rama, ndërkohë thotë se prej angazhimit të tij politik emri i të atit, Kristaq Ramës është baltosur shumë, por ai tregon se babai i kishte të drejtë kur thoshte se në jetë njeriu vjen për të lënë kujtimin e tij, të tjerat i merr era.

STATUSI NGA EDI RAMA

💐HOMAZH

IM ATË, KRISTAQ RAMA, mori emrin e gjyshit të tij, Kristaq Ramës së parë, që ishte një ndër patriotët firmëtarë të pavarësisë në Durrës, e ia kushtoi jetën e pasurinë hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, në ato kohë kur gjuhës sonë amtare i kanosej fuqia e një armiqësie të madhe. Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t’ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër.

Sot, si në çdo 31 korrik, kur unë e kujtoj me sytë e lagur tim atë, më rri para syve buzëqeshja e tij paqësore e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të parë – kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ai rezistonte gjithnjë e më pak. Prej meje, jetës sime në politikë, e cila nisi në ditën e funeralit të tij, arsyeja e mosarsyes politike ka sjellë shumë baltë mbi emrin e tim eti pas vdekjes.

Por ajo buzëqeshje e shkrin dhe tret krejt baltën, mu si në çdo paradite feste kombëtare, kur qyshse për shkak të detyrës shkoj tanimë prej 20 vjetësh, tek Nëna Shqipëri a tek Heronjtë e Pavarësisë në Vlorë. Pasi vendos kurorën, përulem dhe pastaj ngre kokën drejt lartësisë së veprave që ai la dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij.

Veprat do të jenë aty bashkë me emrin e Kristaq Ramës, kur ata që e kanë baltosur tërë këto vite do të jenë mbuluar me kohë e me vakt, nga pluhuri i një harrese përfundimtare pa kthim. Kishte të drejtë im atë, mos e harro asnjëherë, në këtë jetë ke ardhur për të lënë kujtimin tënd, tek fëmijët e tu, tek ata që të njohën vërtetë dhe në qofsh shumë i zoti, tek populli yt. Të tjerat i merr era dhe në fund edhe trupi i vetë njeriut erë bëhet.

#TëPAHARRUESHËM🙏