Kryeministri Edi Rama e nisi konferencën e tij për të prezantuar ndryshimet në Kadastrën Shtetërore, me një falje drejtuar të gjithë qytetarëve që iu është dashur që të kalojë përgjatë një kalvari të gjatë sorollatjesh nga zyra në zyrë, për të marrë pronësinë e tokës së tij.
Duke e përshkruar “sterr të zezë” gjendjen në të cilën ndodhet Kadastra, Rama tha se fajtore për këtë situatë është edhe vetë Partia Socialiste.
“Unë dua ta them me gojën plot dhe kokën ulur se sot është dita për t’i kërkuar ndjesë në emër të PS-së të gjithë shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër. Kjo ndjesë është e kryetarit të një partie fajtore, natyrisht nuk është e gjithë partia, por udhëheqja e partisë në radhë të parë që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët që u ka thënë që është han me 7 porta ku porta kryesore futën udhëheqësit pastaj nga portat e tjera futen të gjitha llojet e tjera”, tha Rama.
I ashpër ka qenë edhe me ministrat, deputetët dhe kryetarëve të Bashkive të pranishëm në sallë, ku tha se do e shijojë momentin ku politika të mos gjejë asnjë shteg për të ndërhyrë në pronësinë e një prone.
“Ju ftoj të gjithëve ta provoni dhe do e ndjej dhimbjen tuaj, ku nuk mund të gjeni se ku kapet një pronë më”, u shpreh ai.
Ai shtoi se është bërë punë, por jo aq sa duhet, për të zhbërë ndikimin e politikës mbi Kadastrën.
“Nuk jemi në kushtet kur që kemi arritur aty ku duhet, por kemi parë çudira pas çudirash me pronat e shqiptarëve. Influenca politike mbi Kadastrën ka qenë shumë e pranishme, atëherë të tjerët kanë bërë njëmijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, nga lidhjet klanore”, u shpreh kreu i qeverisë.