Politika Rama i kthen përgjigje akuzave të opozitës

Rama i kthen përgjigje akuzave të opozitës

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje të gjitha akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me tenderat dhe paketat ekonomike për situatën Covid-19.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë nuk ka zgjedhur të flasë vetë, por t’i tregojë me titra faktet e vërteta sipas tij të akuzave të opozitës.

Megjithatë në disa raste, kreu i ekzekutivit habitet me deklaratat e ish-deputetëve dhe liderit opozitar, Lulzim Basha. Fillimisht, Rama e nis videon duke treguar se nuk ka tendera sekretë, ndryshe nga çfarë pretendon PD-ja.

“Nuk ka tendera sekretë, as kontrata sekrete. Procedurat e tenderimit të përdorura për Covid-19 janë procedura të miratuara ligjore për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesat thelbësore të shtetit. Po të ishin sekrete nuk do të ishin publike”.

Sa i përket akuzave se maskat FFP2 janë blerë me çmim 6.5 Euro, kreu i qeverisë thotë se janë marrë me 4.14 Euro copa. Për veshjet spitalore, Rama thotë se janë marrë me çmim 14.6 Euro copa.

“Qeveria bleu veshje mbrojtëse që quhen tyvek me një çmim 14.6 Euro për të mbrojtur mjekët dhe të gjithë infermierët në Shqipëri”, shkruan Rama.

Rama thotë se data e skadencës së maskave mbrojtëse për mjekët në spitalin Infektiv është në vitin 2023, ndryshe nga ç’pretendon PD. Përgjigje kthen edhe për tenderin për ushqimin.

“Kompania fituese është pjesë e një grupi të madh e të mirënjohur biznesi të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që operon prej vitesh në fushën e tregtisë së ushqimeve. Kontrata u lidh jo për 1.5 mln Euro, por vetëm për 830 000 euro”.

Për paketat ekonomike, kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje Lulzim Bashës dhe thotë se nga paketa e parë përfituan pagë minimale për 3 muaj, 53 842 punonjës në biznesin e vogël. Ndërsa me paketën e zgjeruar do të përfitojnë 176 000 punonjës.

“Boll, 7*7 nuk bëjnë 42”, mbyllet videoja e kreut të qeverisë.