Kjo e premte shënoi nisjen e punimeve për parkun fotovoltaik të Karavastasë. I pranishëm në eventin e mbajtur për nisjen e këtij projekti, fjalën e tij kryeministri Edi Rama e nisi me një keqardhje për mungesën e kreut të kompanisë franceze Voltalia.
“Më vjen keq që shefi i madh i Voltalias nuk është këtu me ne, për shkak se humbi avionin”.
Këtë rast e shfrytëzoi edhe për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve për vonesat e kompanisë WizzAir.
“Nuk ishte WizzAir, meqenëse kemi marrë së fundmi shumë ankesa për vonesa. Ishte AirFrance dhe janë të gjithë avionët sot në Europë të paktën, që vonohen dhe situata e axhendës së fluturimeve është në një kaos të vërtetë”.
Megjithatë për kryeministrin, i cili batutat nuk i lë asnjëherë mënjanë, më e rëndë është diçka tjetër…
“Por ajo që është edhe më e rëndë është që në emër të Voltalias këtu u fol anglisht, kjo e bën të papërtypshme për Francën që Voltalian e ka kompaninë e flamurit, megjithatë kjo tregon edhe njëherë që sado që frankofonia të luftojë, anglishtja mbetet gjuha më e madhe e përbashkët”.