Kryesore Rama i pakënaqur me deputetët e tij, i paralajmëron me zgjedhje të...

Rama i pakënaqur me deputetët e tij, i paralajmëron me zgjedhje të parakohshme

Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësinë ndaj shumicës së deputetëve të Partisë Socialiste në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ditën e sotme.

Madje për herë të parë kryeministri Rama ka artikuluar “zgjedhjet e parakohshme”.

Kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve angazhim më të madh. Ai ka shprehur pakënaqësi ndaj shumicës së deputetëve socialistë për angazhimin e tyre në komisione parlamentare dhe seancat plenare, si edhe adresimin e problemeve të qytetarëve.

E gjitha kjo ka ardhur për shkak të numrit të vogël të deputetëve që ishin prezentë në mbledhje. Kjo nuk është pritur mirë nga kreu i qeverisë, i cili ka qenë shumë i ashpër me ta, ku nuk ka nguruar që t’u tërheqë veshin, pasi sipas tij socialistët nuk marrin pjesë në Komisionet parlamentare online apo edhe ikin nga seanca parlamentare pa pritur fundin.

Në fjalën e tij, Rama u tha deputetëve socialistë se mund të shkojnë edhe në zgjedhje të parakohshme në rast se kjo situatë vijon kështu.

Nëse kjo deklaratë e Ramës ka qenë një paralajmërim ose formë presioni, megjithatë mbetet për t’u parë.