Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj eurokomisioneres Mariya Gabriel, e cila ditën e sotme mori pjesë në prezantimin e programit për arsimin të Partisë Demokratike dhe diskutoi me kryedemokratin Lulzim Basha.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e konsideron të tepërt pjesëmarrjen e saj në këtë aktivitet politik, në një kohë kur vendi është në fushatë elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit.
Sipas Ramës, Komisioni Europian nuk duhet të përfshihet në fushatën elektorale.
“Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre”, shprehet kryeministri Edi Rama.