Kryeministri Edi Rama ka folur sot edhe në lidhje me vizitën e Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, ku kreu i qeverisë nuk ishte prezent gjatë momentit që ajo mbajti fjalimin në Kuvend.
Kreu i qeverisë tha se objektiv i qeverisë mbetet motoja “zero problem” me fqinjët. Megjithatë ai tha se në Kosovë “politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe politika e jashtme është bërë politikë e brendshme”.
Kreu i qeverisë tha se nuk fitohet lufta diplomatike “duke rrotulluar thikën e nacional folklorizmit vulgar”, ndërsa tha se Vjosa Osmani erdhi në Tiranë për të bërë propagandë që të fitojë vota në Kosovë.
“Sa i përket pyetjes së dytë që lidhet me vizitën e zonjës Vjosa unë mund të them që sigurisht objektivi ynë ka qenë dhe mbetet zero probleme me fqinjët sikundër e kujtove, por zero probleme me fqinjët nuk do të thotë fshehje e problemeve do të thotë zerim i problemeve. Në këtë rast nuk është se ne kemi probleme, s’kemi asnjë problem me Kosovën, për fat të keq, Kosova ka probleme me veten dhe nëse mund të bëj një përkufizim të përmbledhur është se prej disa kohësh tani më politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe politika e jashtme është bërë politikë e brendshme. Kjo e ka rraskapitur Kosovën së brendshmi dhe së jashtmi. Është një problem që e shoh me shumë shqetësim. E kam adresuar në mënyrë konstante në të gjitha bisedat e mia me udhëheqësit në Kosovë dhe jam përpjekur edhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd dhe për asgjë. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit rajonal ku një nga shtyllat e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovës, disa e ngrenë ditën disa e shembin natës, simbolikisht flas dhe për mua është e pakonceptueshme që kryeministri i një qeverie legjitime të firmosë vullnetin e shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë për Shengenin rajonal dhe një Presidente në detyrë të shfaqet në Shqipëri dhe të bëjë politikë të brendshme dhe të bëjë politikë të brendshme me këtë shtyllë të politikës së jashtme të Shqipërisë apo në këtë rast të Kosovës.
“Bën politikë të brendshme me traun”
Akoma më grotesk është debati me traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën. Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj dhe të vish në Tiranë të bësh propagandë në Tiranë për të fituar vota në Kosovë me demagogji dhe retorikë absurde. Ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës, sikundër trau me pagesë që do të vihet nesër në rrugën Milot-Fier, nuk është kufi mes Shkodrës dhe Tiranës. Kjo është groteske. Jo vetëm groteske dhe jo dashamirëse për të thënë një fjalë të lehtë. Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria atëherë ky është një tra në mes të atdheut duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët për atdheun. Vlen për të gjithë ata që përdorin rrugën. Shikojeni rrugën dhe besoj se zonja Vjosa dhe të gjithë të tjerët mund të shijojnë çfarë ndryshimi ka falë investimit të saj. Sot po bëhet një rrugë me të gjitha standardet e sigurisë falë kontributit të të gjithëve. Janë dy pika që flasin për një sëmundje që e ka prekur dhe po e gërryen politikën në Kosovë duke bërë një alterim të funksioneve politike të brendshme me politikën e jashtme, politikë e jashtme me politikën e brendshme. Kjo e gjitha është konceptuale, kjo nuk ka lidhje me probleme personale, nuk ka lidhje me probleme mes shteteve. Është konceptuale në funksion të nevojës për të kaluar në një dimension tjetër të luftës diplomatike me Serbinë.
“Nuk fitohet lufta diplomatike me Serbinë duke rrotulluar thikën nacional folklorizmit vulgar në Tiranë”
Nuk fitohet lufta diplomatike me Serbinë duke bërë politikë të jashtme me politikë të brendshme dhe duke ardhur në Tiranë dhe duke rrotulluar thikën e nacional folklorizmit vulgar. Lufta diplomatike bëhet me mjete krejt të tjera nga mjetet e luftës përpara se të fitohej liria dhe Facebook-u, Instagrami, deklaratat nuk zëvendësojnë pushkët dhe nuk përdoren si pushkë, as si topa as si mitraloza, as si granata as si bomba sepse thjesht dhe vetëm lëndojnë dhe plagosin vetveten. Me atë formë nuk do e kishim hapur kurrë linjën e energjisë të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Vlen një mijë herë më shumë hapja e asaj linje sesa deklarata pseudopatiotike dhe nacional folklorike”, tha Rama.