Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë që sot dënoi deklaratat që kreu i qeverisë shqiptare bëri në Forumin e Bledit dy ditë më parë në lidhje me negociatat e Shqipërisë.
“Ndoshta dikush mund të ndihmojë me përkthimin miqtë tanë të Ministrisë së Jashtme bullgare për përgjigjen time në Bled se si Bullgaria bllokoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kur më në fund të gjithë të tjerët ranë dakord pas 8 vitesh të gjata. Thjesht përsërita të njëjtat gjëra që thashë në Qershor. Nëse Ministria e Jashtme e Bullgarisë nuk kishte asgjë më të rëndësishme sot se sa një deklaratë publike për diçka që thashë në një panel të Forumit Strategjik në Bled nuk mund ta marr si një kompliment për forumin dhe panelin, përfshirë dhe veten time. Seriozisht, kjo është e pamerituar”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Ministria e Jashtme bullgare i konsideron të rreme deklaratat e Ramës se Bullgaria bllokoi për 8 vite hapjen e negociatave për Shqipërinë. E pikërisht për këtë pjesë, Kryeministri Edi Rama sqaron se ky është keqkuptim në përkthim.
Çfarë deklaroi Ministria e Jashtme e Bullgarisë:
“Në lidhje me deklaratat e reja, të paprovokuara, të njëpasnjëshme, antibullgare të Kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë Forumit të Bledit më 29-30 Gusht të këtij viti, bazuar në deklaratën e rreme se Bullgaria bllokoi për 8 vjet fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. MPJ i refuzon deklaratat e papërgjegjshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Ministria e Jashtme ka shprehur tashmë qëndrimin e saj në lidhje me retorikën anti-bullgare të Edi Ramës, e cila është kthyer në një refren të përhershëm të fjalimeve të tij politike.
Tani është kombinuar me një fokus anti-europian dhe një përpjekje për të poshtëruar mekanizmat e procesit evropian. Deklaratat tregojnë keqkuptime rreth procesit politik për të vendosur në shinat evropiane marrëdhëniet në rajon. Bëhet fjalë ose për mungesë të aftësive komunikues evropiane ose për nxitje të qëllimshme të ndjenjave anti-europiane. Bullgaria rezervon të drejtën të reagojë në mënyrën e duhur ndaj sjelljes së Kryeministrit shqiptar, duke ndjekur parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.