Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dhe pyetjes së deputetes greke në lidhje me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Për kryeministrin Rama, Turqia njësoj si Greqia apo Italia janë partnerë strategjikë të Shqipërisë dhe ai nuk mund të zgjedhë mes tyre, duke rikujtuar kontributin e Ankarasë zyrtare në krizën e refugjatëve të vitit 2015.
“Turqia ashtu si Greqia dhe Italia janë njësoj dhe në politikën e jashtme përcaktohen si partnerë strategjikë. Nuk e kuptoj pyetjen. Greqia ka probleme me Turqinë dhe shpresoj që t’i zgjidhni. Por kur bëhet fjalë për ne nuk zgjedhim mes partnerëve. Kemi mësuar se fqinjët janë aty për të qëndruar përgjithmonë dhe gjyshja më thoshte se fqinji i lumtur është shtëpi e lumtur. Ne nuk kemi frikë për gjëra të këqija nga Turqia. Ajo është shumë e rëndësishme për stabilitetin e Europës. Pa Turqinë kriza e emigrantëve do të ishte kthyer në apokaliptike. Kam nderin të njoh e ta konsideroj veten si mik të Erdogan dhe Mitsotakis”, tha Rama.