Kryeministri Edi Rama duke përkujtuar vdekjen e Ali Pashës 195 vjet më parë i ka kthyer përgjigje ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias.
E ndërsa e cilëson atë “Luani i Janinës”, Rama shkruan se “revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali Pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u shpreh me ironi mbrëmë ndaj Shqipërisë në një intervistë televizive në kanalin shtetëror ERT.
I pyetur për incidentin me shoferin e ministrisë së Jashtme shqiptare që po hynte në Greqi me një hartë të Shqipërisë së Madhe, Kotzias u shpreh.
“Ne jemi një vend me institucione të forta dhe kapacitet të madhe. Kundër nesh kanë dalë disa vende që janë formuar dy dekadat e fundit. Këto shtete kanë një popullsi të re dhe ndonjëherë veprojnë me vrull që çon në nacionalizëm.”
Statusi i plotë i Edi Ramës për Ali Pashën
195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali pashë Tepelena, Luani i Janinës.
Si personalitet historik, Ali pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve.
Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.
Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali Pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.
Shumë i detyrohet Ali pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.
Figura e pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar.