Në mbledhjen e dytë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, inxhinierja Luljeta Bozo u shpreh se për rindërtimin e banesave duhet të paguajnë edhe vetë pronarët, pasi janë përgjegjës të shkeljes së rregullave të ndërtimit.
Ndërkohë, propozimit të Bozos iu përgjigj kryeministri Rama duke thënë se në këtë situatë nuk janë në gjendje t’u kërkojnë para qytetarëve.
Por sipas kryeministrit, kjo do të jetë hera e fundit që do paguajë qeveria dhe se të gjitha banesat do të sigurohen me detyrim.
“Nuk mundet sot që t’u kërkojmë njerëzve që të paguajnë, por do u bëjmë të qartë mesazhin se kjo është hera e fundit që qeveria të paguajë të gjithë kusuret lartë e poshtë dhe të bëhet i detyrueshëm sigurimi i banesave. Të gjitha banesat në këtë vend duhet të sigurohen”, tha Rama.
Çfarë tha inxhinierja
Inxhinierja Luljeta Bozo ka evidentuar disa nga problematikat që shtetit duhet t’i shmang gjatë planit për rindërtimin e vendit për periudhën pas tërmet.
“Kam disa probleme. Kemi një evidentim, që mund të ndryshoj shumë pak, sidomos në zonat rurale. Cilat janë ato godina që janë shembur fare dhe njerëzit janë në çadra, cilat janë ato që kanë dëmtime të lehta, duhet të specifikohet që të dimë se sa punë kemi për të bërë dhe duhet bërë brenda një kohe shumë të shkurtër. Brenda një jave duhet ta kemi këtë panoramim. Pas kësaj, duhet bërë një plan organizimi, nga njësia vendore ta organizojë punën se si të fillojë me strehimin e banorëve, nga ato që janë në qiell të hapur dhe të jepet një afat, afati është shumë i rëndësishëm. Që çdo gjë të jetë shumë e qartë. Kur janë tre-katër kurora në një shtëpi, sa shtëpi do t’u bëhet atyre. Problemi i fondit për banesat private, shteti, por të jap fond dhe individi. Asnjë komunë nuk duhet të pranojë një rindërtim pa projekt, është e pamundur. Administrata të jetë më operative, nuk duhet të punojë më me ritmin që ka punuar më herët”, tha Bozo.