Kryeministri Edi Rama ka folur pas samitit në Selanik në një intervistë për RTSH. Kreu i qeverisë tha se në këtë samit është folur ndër të tjera edhe për Ballkanin e Hapur. Për këtë nismë, Rama u shpreh se është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit. Po ashtu, Rama ka thënë se Greqia ka mbajtur gjithmonë një pozicion mbështetës ndaj Shqipërisë në Këshillin Europian.
Zoti Kryeministër, ku u përqendruan diskutimet në panelin e liderëve në këtë Samit këtu në Selanik?
Edi Rama: Ky ishte një samit i një nisme e cila ka një stafetë nga shteti në shtet prej shumë vitesh. Greqia drejton nismën dhe në fund është dhe një takim i liderëve, i cili përgjithësisht fokusohet tek aktualiteti. Sot kemi pasur natyrisht në fokus situatën aspak të lehtë, përkundrazi tejet të jashtëzakonshme, për shkak të luftës në Ukrainë, të pasojave në ekonomi, të perspektivës afatshkurtër dhe afatmesme përsa i përket të dyja këtyre aspekteve e natyrisht marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, me Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë ku ka pasur edhe një diskutim natyrisht mbi Këshillin e ardhshëm Europian dhe situatën e bllokuar ende e sot e gjithë ditën nga Bullgaria, por kemi folur dhe për Ballkanin e Hapur.
Zoti kryeministër, ka patur një deklaratë së fundmi të Kancelarit gjerman Scholz i cili po viziton e po zhvillon turin në Ballkan, i cili ka lajmëruar një samit të radhës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nisma e Berlinit që njihet, çfarë të reja priten nga kjo dhe deri kur të ndodhi ky samit do ketë zhvillime të reja për Shqipërinë dhe Maqedoninë të cilat presin datën 23 qershor?
Edi Rama: Natyrisht që rimarrja e Procesit të Berlinit pas ndryshimit në kancelari dhe riangazhimi i Kancelarisë dhe personalisht i kancelarit gjerman për Procesin e Berlinit është një lajm i mirë. Procesi i Berlinit është një le të themi, vijë sjelljeje e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është një hapësirë ku janë vendosur si të thuash ato piketa të cilat janë objektiva konkretë dhe nxitje për punë konkrete në Ballkanin e Hapur. Pra, Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur jo vetëm që nuk janë dy nisma kundërshtuese, nuk janë as dy nisma konkurruese, po janë dy nisma komplementare ku njëra është në një nivel parimor, tjetra është në nivel konkret. Ballkani i Hapur është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit.
Ka patur deklarata shumë të fuqishme edhe të kryeministrit Mitsotakisi cili është vend organizues i Samitit të sotëm në lidhje me integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Si e vlerësoni qëndrimin e tij dhe a pritet që kjo të ndikojë?
Edi Rama: Greqia ka qenë përgjithësisht, pavarësisht ndonjë fazë, marrëdhëniet bilaterale nuk kanë qenë në nivelin më të lartë, por edhe atëherë kur ka rënë fjala për integrimin dhe për ecurinë e procesit të integrimit, Greqia ka mbajtur gjithmonë një pozicion kryesor në tryezën e Këshillit Europian dhe nuk e kam dëgjuar deklaratën e kryeministrit grek të cilës i referoheni, por sigurisht ai ka folur dhe në takim për këtë, por nuk jam aspak i çuditur, përkundrazi është gjëja e natyrshme që Greqia ka bërë vijimësisht.
Duke qenë se Bullgaria është një nga vendet themeluese të kësaj nisme të bashkëpunimit me Europën Juglindore, a pati sinjale relaksuese gjatë takimit të sotëm?
Edi Rama: Çështja e Maqedonisë së Veriut është një çështje e politikës së brendshme bullgare, që do të thotë është nga ato çështje që janë gjithmonë më të komplikuara sesa duken dhe për më tepër janë të lidhura me interesa të politikës së brendshme, shumë më tepër sesa me thelbin e vetë çështjeve.