Kryeministri Edi Rama ka folur në një deklaratë për mediat fill pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, ku është shprehur se ata do të fitojnë bindshëm në zgjedhjet e 14 majit.
Kjo për faktin se kundërshtari që kanë përballë është i padenjë, ndaj sipas tij, fitorja në aspektin aritmetik është minimumi.
“Mendoj që do fitojmë shumë bindshëm, por fitorja kur ke përballë kundërshtarë të tillë, në aspektin aritmetik është minimumi. Çështja është të shkosh përtej fitores aritmetike. Këto lloj situatash rrezikojnë shumë të të shkëpusin nga njerëzit.
I keni gati kandidaturat?
“Pak a shumë po. Aty ku ka pasur dakordësi dhe sinkronizim rreth kandidatëve që janë aktualisht kryetar bashkie. Zyrtarizmi përfundimtar do të bëhet para se të regjistrohen zyrtarisht kandidatët. Por në pika të përgjithshme e dimë se kush do të jetë skuadra.”
Duke folur për rritjen e pagave, Kryeministri Rama tha se, qeveria e tij ka bërë një hap të rëndësishëm për rritjen e pagës për mjekët specialistë, të cilët duke filluar nga prilli do të shpërblehen me pagat më të larta të rajonit, duke u barazuar me Serbinë.
“Përtej të gjitha vështirësive që kemi hasur dhe përtej kontekstit aspak të zakonshëm të ekonomisë si rezultat i luftës dhe shtrëngimeve në mbarë Evropën, jemi duke ecur mirë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm për rritjen e pagës për mjekët specialistë, që duke filluar nga muaji prill do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit.
Jemi barazuar me Serbinë në pagë, jemi mbi Kosovën dhe në një mesatare të lartë. Të gjitha vendet tani janë pak a shumë rreth të njëjtës pagë. Po bëjmë një ligj të ri rreth një tërësie profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta, duke filluar nga aftësi digjitale, në kushtet kur duhet të forcojmë shumë sigurinë kibernetike. Kemi nevojë të ofrojmë paga konkurruese në treg. Ashtu edhe për të tjera profesione.
Deri tek agronomët, e të tjera profesione në pika të ndryshme të shtetit që do të bëjnë të ketë shumë më tepër profesionistë. Nga ana tjetër, ligjit i tatimit për të ardhurat personale heqim taksimin mbi pagën deri në pagën 50 mijë lekë të reja. Kemi taksën mbi prodhuesit e mëdhenj, eksportuesit e energjisë që do t’ia dedikojmë pensionistëve. Dhe të gjitha këto që shoqërohen me rritjen e investimeve të huaja dhe private direkte sidomos në turizëm na bën ta shohim me optimizëm situatën.”
I pyetur nga gazetarët, nëse ka pasur ndikim në vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së, Rama u shpreh se nuk ka ndërmend të merret me polemika të politikës së gërr-gërr-gërr, sikurse e cilësoi ai.
“A e keni ndikuar ju vendimin e gjykatës për vulën e PD-së?
Nuk kam asnjë disponim të merrem me polemika të politikës së gërr-gërr-gërr”.