Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra kundër Presidentit Ilir Meta. Gjatë mbylljes së fushatës së PS-së në Tiranë, Rama tha se kush voton Metën duhet të ketë turp.
“Kini parasysh që nuk është Luli se me Luli rregullohemi, ia gjejmë një vend për të fjetur, problemi është gjetkë. Të mendosh sot për fëmijët do të thotë të mendosh edhe për vajzën e Ilir Metës, e cila siç thotë vetë Ilir Meta i lutet, babi mos pi, kthehu në shtëpi. E pra me 25 Prill çoni në shtëpi Ilir Metën, çoni në shtëpi Ilir Metën. Boll! Mjaft! Ilir Meta duhet të bashkojë në shtëpi.
Ilir Meta është turpi ynë, është turpi i të gjithë popullit shqiptar. Është turpi më i madh që Shqipëria ka mundur të ketë aty në krye. Ai turp duhet zhbërë më 25 Prill dhe turp kush voton Ilir Metën. Turpëron veten, turpëron fëmijët e tij, turpëron familjen, turpëron prindërit e tij, turpëron të gjallë e të vdekur në shtëpinë e tij. Boll. Boll se nuk është Shqipëria pengu i një njeriu që ka ikur dhe ka lëshuar plumba e sorra bashkë. Boll!”, tha Rama.
Sa i përket kundërshtarit të tij politik, Lulzim Bashës, Rama tha se kryedemokrati “han ndonjë shpullë sa herë që sillet keq” në shtëpinë e Metës.
“Nuk ia vlen të rrisësh taksën që të çosh Lulin të flejë në kryeministri. Por Luli aty është. Ka dy shtëpi, një e ka pas kryeministrisë, një e ka mandej, ka një shtëpi tjetër nga plazhi, ka shtëpinë e Saliut ku shkon për abdes, ka dhe shtëpinë e Likes ku shkon e han ndonjë shpullë sa herë që sillet keq. Ka gjithë ato shtëpi Luli. Për të çuar Lulin të shkojë të flejë në kryeministri, të gjithë duhet të votoni PS-në”.