Kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për mediat, këtë të hënë, pas takimit informal në Tiranë mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić.
Edi Rama u shpreh se ende nuk kemi gjëra konkrete nga ky plan, por theksoi se e rëndësishme është që rajoni të shihet si një i tërë.
“Nuk mund të flasim për gjëra konkrete sepse ky plan është në diskutim. Jemi shumë herët për të diskutuar sesa dhe përse një vend ose një vend tjetër do të marrë. Ajo që është e rëndësishme është që ta shikojmë rajonin si një i tërë dhe të punojmë për rajonin si një i tërë edhe pse brenda rajonit ka vende që janë përpara në procesin e integrimit.
Edi Rama u pyet edhe për mungesën e kryeministrit të Kosovës në këtë takim, por nuk preferoi të fliste për të.
“Për sa i përket pyetjes së dytë nuk shoh asnjë interes. Të gjithë ishin të ftuar dhe kush deshi erdhi, kush nuk deshi nuk erdhi”, tha Rama.
Rama: Plan të ri ekonomik dhe financiar nga BE për të mbështetur Ballkanin Perëndimor
Në përfundim të takimit informal me liderët e rajonit në Tiranë, me përjashtim të Albin Kurtit, kryeministri Edi Rama tha se po punohet për hartimin e një plani të ri ekonomik dhe financiar në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Teksa vuri theksin se për shkak të krizës ekonomike, luftës, pandemisë, hendeku mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelluar, Rama tha se ky plan do të ndihmojë që të hapen shtigje të reja bashkëpunimi.
“Ne jemi përpjekur që të krijojmë një tjetër qasje, që paralelisht me negociatat të kemi dhe një mbështetje ekstra financiare. Kjo ka nisur të formësohet dhe një plan i ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike po përgatitet, se si nga njëra anë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten financiarisht dhe të hapen disa shtigje të integrimin në tregun e BE pa pritur që të anëtarësohen në BE”, tha Rama.
Megjithatë, kreu i qeverisë nuk dha detaje se sa do të jetë kjo mbështetje financiare apo se në cilat fusha Shqipëria do të kërkojë ndihmë.