Kjo fundjavë e gjeti kreun e qeverisë në terren ku inspektoi nga afër punimet për konviktet e Inxhinierisë të Ndërtimit, një kërkesë kjo e artikuluar së fundmi nga studentët.
Rikonstruksioni i tyre u mundësua falë marrëveshjes me qeverinë gjermane dhe gjithçka për 1080 studentë që do të akomodohen në kushte optimale do të jetë gati në muajin Mars.
“Janë kushte dhe standarde si në Gjemani për shkak të programit të Bankës Gjermane për Zhvillim. Kjo do jetë pararoja, për godinat e tjera do veprojmë me standarde europiane”, tha Rama.
Ndërhyrjet në godina kanë nisur nga struktura e tyre, për të vijuar me dhomat që kanë kushte bashkëkohore, banjo në çdo kat banimi, sistem me ngrohje qendrore apo dhe ujë 24 orë në ditë.
Paralelisht me këto godina, puna ka nisur edhe për restaurimin e katër godinave të Mjekësisë.