Kryeministri Edi Rama vizitoi kantierin e punimeve në rrugën Elbasan-Tiranë, ku drejtuesi i projektit shpjegoi se gjithçka është në fazën përfundimtare dhe në mesin e muajit mars pritet të hapet njëri krah i karrexhatës, ndërsa një muaj më pas e gjithë rruga.
“Ritmet janë të kënaqshme dhe parashikojmë që në 14 mars rruga të bëhet e aksesueshme për trafikun, karrexhata e majtë përkohësisht, deri sa të mbarojë në përputhje me grafikun e ri të punimeve, në maj të 2019. Kjo ka qenë një nga zonat më problematike të projektit. Kjo ka patur një kosto 9.6 milionë dollarë. Realizmi i saj është 93%. Duhen edhe 800 mijë dollarë dhe kjo të kompletohet”, tha drejtuesi i projektit.
Sipas kryeministrit, projekti fillestar u nis pa studim gjeologjik dhe nxitimi për arsye elektorale solli dyfishimin e kostos: “Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”.
Rama kërkoi angazhim maksimal për përfundimin brenda afateve edhe të pjesës së mbetur të punimeve.