Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se respekton inisiativën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me një dialog të brendshëm për Kosovën.
“Një iniciativë për tu ballafaquar me të kaluarën në mënyrë frontale dhe jokonvencionale” e ka cilësuar kryeministri Rama në një intervistë ekskluzive të botuar sot në gazetën beogradase Blic.
Ora News sjell pjesë nga intervista me titull: “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës” pyetjes se cila është zgjidhja e problemit të Kosovës, kryeministri u përgjigj: “Njohja e plotë e Republikës së Kosovës nga Serbia! “
“Por, e di se kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet kur e vendos veten në këpucët e Aleksandrit” tha Rama duke shtuar se për momentin është e rëndësishme që secili të punojë fort për zgjidhjen, në mënyrë direkte, me durim dhe në mënyrë jokonvencionale, informon Ora News.
Rama tha gjithashtu se marrëdhëniet me Serbinë janë më të mira se kurrë më parë dhe se është i lumtur për këtë.
Duke folur për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vende, Rama tha se gjërat duhet të përmirësohen çdo ditë dhe që të dy vendet janë në rrugë të mbarë, por që duhet bërë shumë më tepër.