Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot pasdite një takim me gratë dhe vajzat në qytetin e Elbasanit. Rama falënderoi pjesëmarrëset duke theksuar se ato do e çojnë Partinë Socialiste vetëm përpara, duke votuar alternativën e duhur më 14 Maj.
“Duke luftuar me burrat deri në kapje flokësh për një vend, sot janë bashkë me kaq shumë gra dhe vajza që vijnë këtu vetëm nga bashkia e Elbasanit. Më vjen mirë që Damiani përgjithësisht është skeptik sepse do gjithmonë që të jetë i sigurt për gjërat që bën, por tashmë është i bindur që pa gratë PS jo vetëm nuk ka ku shkon, por vetëm me ato do shkojë sa më lart. Një falënderim për socialistet e brezit të parë të këtij transformimi. Sot ne kemi 50% të këshillit bashkiak me gra dhe vajza në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë, më shumë se 50% të drejtuesve në gjithë institucionet janë gra dhe vajza sepse është bërë një proces i rëndësishëm, edhe me imponim që të vendosen kuotat me ligj, të shikohet shumë më tepër nga gratë dhe vajzat sepse parafytyroni për një moment sikur të merrnit 15 ditë, pushime larg Elbasanit dhe në Elbasan të ngeleshin vetëm burra dhe djem.
Dhe, shpinë t’ja lenit burrave dhe çunave ta pastronin, ta rregullonin, parafytyroni se ca do kishit gjet pas 15 ditësh këtu. Më besoni, nuk është ekzagjerim, është e njëjta gjë sikur të nxjerrësh të gjitha gratë nga bashkia, qeveria, dhe t’i mbushësh me burra, më besoni është e njëjta, gjë do ta çonin këtë vend mbrapa dh enë gropë për shumë pak kohë.”
Për bashkinë e Elbasanit, dy kandidatët kryesorë janë Gentian Llatja i PS-së dhe Luciano Boçi i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.
Kryesocialisi ironizoi Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët kandidojnë në këto zgjedhje me koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Veç tyre, Rama e etiketoi Luçiano Boçin si “Luluçi” i cili premton të sjellë qytetin e filmit.
“Ata burra që janë përballë në fletën e votimit, në zgjedhjet e 14 Majit, janë 3 burra. Dy në Tiranë, njoni nga ata dy as s’mund ta shënojë emrin sepse është non grata, tjetri nga ata dy e njihni mirë sepse i kemi bërë të gjitha që ta sjellim në rrugë të mbarë, por nuk i ndahet rrugës së mbrapshtë dhe nuk ka lidhje fare me të shkuarën përpara. I treti është këtu në Elbasan, me besoni që unë mendoja se Lul Basha ishte kulmi i artistit që të rre edhe kur e pyet sa është ora, por Luli është shumë më i vërtetë se sa Luluçi që keni ju këtu. Unë nuk besoj në historinë e zgjedhjeve ka pas një kandidat që e ka filluar me një skenë filmi, kandidati bashkë me një investitor konsulent që do sillte 400 mln euro këtu në Elbasan, që dalin përpara popullit dhe firmosin marrëveshjen, dhe në marrëveshje thuhet: kryetari i ri i bashkisë, një status që nuk ekziston. O je kryetar i bashkisë ose je një artist i ri që ke dalë në skenë për t’u tallur me popullin tënd. Asnjëri s’është kryetari, njëri gënjen për llogari të atyre në Tiranë e tjetri për llogari të këtij në Elbasan sepse ai konsulent nuk ekziston.
Ka qenë një Tit Sojli, shkonte te treni, zbrisnin njerëz që vini nga rrethet, u thoshte: E sheh sahatin a do me e ble? Sa bo, 10 mijë lekë, ky e merrte 10 mijë lekëshin dhe ikte, sahati ngelte aty. Ai ishte një njeri në kohë tjetër dhe në fund të fundit bënte lojë me njerëzit në nivel individual, por Luluçi nuk e ka problem fare që përpiqet të gënjejë gjithë popullin, kush ta hajë, ta hajë!
Si mund t’i lejoni burrat tuaj me datë 14 të dalin nga shtëpia dhe të shkojnë e të votojnë një njeri që thotë do e bëjmë Elbasanin skenë filmi dhe Like Floririn i cili është afruar vetëm për të kafshu e gllabëru ca mundet nga trupi i PD?! Jashtëzakonisht e rëndë në dy aspekte. Këta s’kanë lidhje fare as me të djathtë, as me të majtë dhe as me asgjë tjetër dhe janë ndërkohë njerëz të padëshirueshëm për aleatët tanë.”
Më 17 prill, teksa Boçi prezantoi programin e tij, vuri theksin te projektet që ai do të realizojë nëse arrin të fitojë zgjedhjet, që nga ndërtimi i 15 tregjeve të reja, “qyteti film” e deri te parku teknologjik që do të strehojë 100-150 kompani. Janë pikërisht këto pika të planit të Boçit, të cilat Rama i konsideroi mashtrime.