Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të martë se qeveria e tij nuk ka rritur taksat. Përkundrazi, sipas tij, taksimi i ndershëm u ka kursyer njerëzve 166 milionë dollarë që në momentin që ka hyrë në fuqi.
Kreu i qeverisë ironizoi me Partinë Demokratike, të cilët premtojnë taksim të sheshtë. “Të insistosh në gabim është djallëzore. Këta mirë që gabuan njëherë, insistojnë në gabimet e tyre dhe duan tua shesin shqiptarëve si virtyte. Kam ça të kapësh, kush ta hajë ta hajë, pastaj shihemi”, tha Rama.
“Shifra e tretë që dua t’ju jap për të gjithë ata që ngatërrojnë pagesat me taksat, ata që ngatërrojnë atë që duan të paguajnë për konsumin e energjisë, të ujit, me taksat, por edhe për të gjithë ata që insistojnë jashtë realitetit të fakteve se ne paskemi rritur taksat. Kursimi nga taksimi i ndershëm në Shqipëri është 21 milionë dollarë në vit dhe 166 mln Dollarë në këto vite. Pra 166 mln Dollarë, të cilat ata jua merrnin njerëzve dhe ne ua kemi lënë njerëzve në arkat e familjeve të tyre. Është fakt. Vetëm nga kursimi i taksës, i asaj takse famëkeqe të sheshtë që ne e shembëm dhe e kthyem në taksë të ndershme, kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguhet më shumë. Dhe ata duan ta rikthejnë. Duan ta rikthejnë për të bërë përsëri që infermierët, arsimtarët, punonjësit e shtetit në një pagë mesatare të paguajnë më shumë se sa “oligarkët”, të pasurit e këtij vendi. Gjyshja ime thoshte të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore. Këta mirë që gabuan njëherë, insistojnë në gabimet e tyre dhe duan tua shesin shqiptarëve si virtyte. Kam ça të kapësh, kush ta hajë ta hajë, pastaj shihemi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek pagat e punonjësve në sektorin publik. Edhe pse numri i punonjësve është më i ulët se disa vite më parë, Rama tha se është dyfishuar fondi i pagave që prej 2013-s.
“E dyta shifër që do t’ju jap është që me një numër punonjësish në sektorin publik që është më i vogël sesa numri i vogël si sektorit publik në vitin 2013 fondi i pagave është rritur nga 450 milionë dollarë në 2013-n në 710 milionë Dollarë sot, duke përfshirë natyrisht edhe rritjen e sotme që do të thotë 2 mandate qeverisëse të atyre që nuk e di ku e gjejnë kurajon që kërkojnë të kthehen dhe dy mandatet tona është thuajse dyfish fondi i pagave në sektorin publik në pikëpamje të shumës me të njëjtin numër punonjësish po e marrim edhe pse numri i punonjësve është pak më i vogël sot”, tha Rama.