Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë sot në Fier në një aktivitet partik për nismën e socialistëve “Për Deputetin Që Duam”.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se nisma e PS është një traditë e kësaj partie. E duke folur për këtë proces, kryesocialisti foli edhe për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve brenda Partisë Demokratike.
Në këtë aspekt, Rama tha se komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve brenda PD u përdor për të skualifikuar emra të tillë si Klevis Balliu etj.
“Ajo që unë dua t’i siguroj të gjithë është që ky nuk është një proces që na detyroi dikush ta bëjmë. Është sepse kjo është tradita jonë. Nëse nuk do të ishte kjo traditë, unë që po ju flas s’do të isha këtu sot. E nëse sot unë jam këtu, kjo është shprehja më kuptimplotë e asaj që është tradita jonë.
Ne nuk kemi nevojë të bëjmë farsa si ajo që bënë kundërshtarët tanë politikë, Partia Demokratike, farsë e panevojshme, e padobishme, farsë e pakuptueshme. Për të ngritur një komitet të urtësh dhe për të futur në një proces absurd një numër njerëzish duke nënçmuar familjen politike dhe duke u thënë anëtarëve hajdeni ju dhe na tregoni se kush nuk duhet të jetë nga këta që po u japim. E katandisën gjithë atë proces në një proces për të ‘vrarë’ djalin e Fahriut. E pakuptueshme të fshihesh pas një komiteti. Dhe pastaj Luli thotë që unë fshihem pas Komitetit të Ekspertëve kur vjen puna te administrimi i kësaj situate kaq dramatike sa kjo që po jetojmë ne dhe gjithë bota. Ne nuk jemi fare në këtë botë me ta. Ne jemi në një botë tjetër krejtësisht që është bota e njerëzve realë”, tha ndër të tjera Rama.