Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e konsideron përpjekje politike masën e sigurisë arrest shtëpie për kryetarin e PD, Sali Berisha.
Në një konferencë shtypi me gazetarët nga selia e PL, Meta tha se kjo është përpjekje për të minuar opozitarizmin në Shqipëri.
“Kemi të bëjmë me një përndjekje politike dhe përpjekje për të minuar opozitarizmin në vendin tonë. Të gjitha këto diktohen nga Edi Rama përmes kapjes së sistemit të drejtësisë dhe përmes gjithë presioneve që ai ushtron në këtë drejtim. Dhe ne jemi shumë të qartë përsa i takon çështjes së reformës zgjedhore. Edi Rama nuk ka asnjë interes për të bërë reformë zgjedhore”, u shpreh Ilir Meta.
Ligji për komisionet hetimore/ Meta: Tmerri i Edi Ramës të japë llogari, qëllimi është korrupsioni
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se të gjitha institucionet e shtetit janë kapur nga kryeministri Edi Rama.
“Jemi në një situatë tërësisht reale dhe aspak imagjinare të paralajmëruar prej kohësh nga ish-Presidentit, në atë të kapjes totale të shtetit dhe të zerimit të pavarësisë së çdo institucioni të pavarur. Kemi përjetuar momente aspak imagjinare por tërësisht reale pasojat e të cilave po i vuan vendi sot dhe do t’i vuajë për një periudhë të paparashikuar. Nuk ka qenë imagjinar betimi tek noterja te Lana i një kandidateje për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka qenë imagjinar kapja e gjithë sistemit të drejtësisë”.
Duke komentuar dekretimin e Presidentit Begaj për ligjin e komisionet hetimore parlamentare, Meta tha se ligji i miratuar tregon synimin e qeverisë për korrupsion dhe se nuk jep llogari.
“Lidhur me vendimin e Presidentit të Republikës, nuk kam asnjë arsye të flas si ish-president. Por është një fakt që një nga arsyet kryesore të kësaj krize madhore ku ka hyrë politika është pikërisht tmerri i Edi Ramës dhe mazhorancës nga llogaridhënie të cilën e garanton Kushtetuta, të cilën e minon përfundimisht ky ligj që tregon vendosmërinë e qeverisë për të pasur një qëllim madhor, korrupsionin galopant”.