Kryeministri Edi Rama, në daljen e tij të parë pas fitores në zgjedhjet vendore, tha se kjo është një fitore shumë e madhe dhe se të gjithë duhet “të ruhemi nga era e fortë dehëse” e saj. Ai paralajmëroi një tur falenderimi në gjithë Shqipërinë, duke nisur nga qyteti i Shkodrës.
“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vetë ndihem shumë i vogël, përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo. Unë e kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, për të nisur nga qyteti më i bekuar nga Zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falenderimi në të gjithë Shqipërinë.
Nuk duhet ta harrojë askush se këto ishin zgjedhje vendore, patjetër me një dimension politik të imponuar nga hijet e së shkuarës që tentuan ta tërhiqnin përsëri këtë vend mbrapa dhe i shikonin këto zgjedhje si aksion revolucionar drejt përmbysjes së qeverisë. Tanimë që shqiptarët zgjodhën ata që donin, ne duhet të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata jo vetëm në nivelin vendor, por edhe në nivelin e qeverisjes qendrore”.