Aktualitet Rama: Kemi një plan solid për rindërtimin, shtëpitë e para brenda 6...

Rama: Kemi një plan solid për rindërtimin, shtëpitë e para brenda 6 muajve

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë të mbajtur këtë të hënë në Golem, Kryeministri Rama u shpreh se një pjesë të rëndësishme të këtij takimi e zuri rindërtimi pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.

Kryeministri theksoi se ekziston një plan për të cilin ai tha se është solid. Rama u shpreh se brenda 6 mujorit të parë të vitit do të ndërtohen shtëpitë e reja për ata që janë në shtëpi individuale.

“Në fund të çdo sesioni parlamentar bëjmë një mbledhje të gjatë, ku kalojmë të gjithë aktivitetin e ministrive, duke u përqendruar te problematikat dhe prioritetet e periudhës në vijim.

Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin. Besoj se kemi një plan solid. Objektivi ynë është që brenda pranverës të jetë nisur gjithçka dhe brenda 6 mujorit të parë, një pjesë e madhe që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në shtëpi të reja. Ndërkohë, ata që do të hyjnë në lagjet e reja që do të ndërtohen, do të vazhdojnë të qëndrojnë në sistemin e qirasë deri kur të jenë gati shtëpitë e reja.

Kemi diskutuar për ato që ju i keni parë si 7 prioritetet e qeverisjes deri në mbyllje të mandatit. Pas Vitit të Ri do të kalojmë katin kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe njëkohësisht do të vijojmë punën për Paktin për Universitetin”, u shpreh Rama.