Kryesore Rama: Keqardhje për mikun tim Ilir, por nuk mund të jetë President

Rama: Keqardhje për mikun tim Ilir, por nuk mund të jetë President

Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se Presidenti Ilir Meta ka humbur çdo të drejtë për të qenë në krye të shtetit shqiptar. Në një fjalë të shkurtër në Kuvend, Rama tha se Meta ka tradhtuar popullin shqiptar dhe ka shkelur Kushtetutën.

Ai ka ftuar të gjithë deputetët që të ushtrojnë vullnetin e tyre dhe të votojnë për shkarkimin e Presidentin. Në fund të fjalës së tij kreu i qeverisë tha se Meta i dikurshëm nuk ka asnjë të përbashkët me Metën e sotëm.

“Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA.

Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me bashkësitë ndërkombëtare në Shqipëria. Ilir Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore.

Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën. Ndaj sot ky parlament duhet të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të qytetarëve shqiptarëve. Keqardhje për mikun tim të dikurshëm Ilir, por Meta i sotëm. Tani duhet të flasë parlamenti me votë”, tha Rama.