Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e kësaj të hëne një takim me drejtuesit e spitaleve të vendit, të cilët i ka kritikuar ashpër duke i cilësuar përgjegjës për gjendjen ku ndodhen sot spitalet.
“Sot spitalet tona nuk janë pasqyrë e pastërtisë dhe higjienës. Kush e ka përgjegjësinë për këtë? E keni ju që jeni këtu, drejtuesit e spitaleve. Spitalet mbahen pis”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se pastërtia në spitale është diçka që mund të arrihet, pasi sipas tij për këtë nuk ka nevojë për buxhet. “Mjafton të kesh sy dhe duar, s’ka nevojë as për para, as për reforma, as për plane madhështore”, ka thënë Rama.
Ai ka pranuar se spitalet tona sot janë pasojë e një trashëgimie të rëndë rrënimi, por ka ritheksuar se vijimi i gjendjes së rëndë është përgjegjësi e drejtuesve të tyre.
“Është një plagë e trashëguar, por nga ana tjetër personelit tonë mjekësor nuk mund t’i mungojë gatishmëria për t’iu përgjigjur në kohë dhe me cilësi pacientit, sepse pacienti e meriton këtë. Nuk jemi 27 vjet mbrapa, jemi 270 vjet mbrapa. Kush e ka përgjegjësinë për këtë? E keni ju. Stafi drejtues ka përgjegjësinë e madhe të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe për të marrë vendimet e duhura në kohë, për t’iu përgjigjur si duhet nevojave me etikë dhe dinjitet”, ka shtuar Rama.
Më tej Rama ka nënvizuar se zgjidhja e kësaj situate fillon nga dorëheqja e drejtuesve të spitaleve, të cilëve u ka kërkuar të japin dorëheqjen nga dita e nesërme.
“Largimi juaj nesër nga detyra nuk është zgjidhje, por është fillimi i zgjidhjes. Çfarë autonomie spitalore mund të kemi ne nëse ne nuk kemi menaxhim spitalor, kapacitet për të patur autonomi menaxheriale? Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët ca lopë i shohin e ca jo. Ndaj dua të mirëkuptoni kërkesën time për të dhënë dorëheqjen tuaj”, ka shtuar Rama.
Kryeministri ka paralajmëruar organizimin e konkurseve publik për të zgjedhur menaxherët e ardhshëm të spitaleve, të cilët, sipas tij, do t’u besohen njerëzve kompetentë e jo të partive.