Kryeministri Edi Rama e ka nisur sezonin e ri politik me idenë e qartë për një mandat të tretë qeverisës. Por mënyrën për ta arritur këtë fitore ai e shikon tek ristarti i energjive të të gjithë të zgjedhurve dhe të emëruarve në këtë forcë politike.
“Këtu jemi mbledhur që t’iu ftoj në një reflektim të thellë, por të shpejt, të cilin dua ta nisim për ta kryer në javët e ardhshme së bashku. Një reflektim se si do të vazhdojmë përpjekjen tonë, si skuadër dhe si individ. Si do ta kurorëzojmë këtë mandat për të merituar nga bashkëqytetarët tanë një mandat tjetër, të tretin radhazi. Po e nis nga vetja, atë që në fakt jam mësuar ta bëj me veten rregullisht. Çfarë duhet të bëjë unë më shumë dhe më mirë për të merituar respektin e atyre që më besuan drejtimin e Shqipërisë? Shqiptarët e kanë të qartë se nuk e kanë sot një kryeministër më të mirë, por a jam unë kryeministri më i mirë që mund të jem për ata? Po ju a jeni deputetët më të mirë? A është kjo që kemi bërë deri më sot më e mira që ne mund të bëjmë për ata?
Shqiptarët nuk e kanë sot një alternativë më të mirë dhe këtë ata e dinë, shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo sot nuk më mjafton fare dhe atyre jo e jo që nuk u mjafton”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Grupit parlamentar i bëri të qartë se nga sot janë të gjithë kandidatë për deputet, përfshirë dhe ai vetë, dhe për të qenë pjesë e tij sërish në zgjedhjet e 2021 do të duhet ta meritojnë. Por më parë do të duhet të kalojnë nëpër 3 procese vlerësimi nga baza socialiste përmes platformave dixhitale.
Është i vetëdijshëm që mbështetja në elektorat nuk është ajo e 3 viteve më parë kur morën një mandat të vetëm për të qeverisur ndaj kërkon që të shkohet në çdo derë për t’i rifituar ato vota dhe për të marrë më tepër.
“Nuk dyshoj se nëse do të votohej këtë të diel ne nuk do t’i fitonim zgjedhjet, por nuk besoj se do t’i fitonim të gjitha zemrat e atyre që na kanë votuar apo të atyre që nuk na kanë votuar, por nuk e kanë votuar dhe nuk e votojnë forcën kundërshtare.
Këtë të diel ne do të merrnim më pak vota sa meritojmë, ndërsa ata do të merrnin më pak sa kanë marrë herën e fundit. Ne do të merrnim më pak vota sepse populli pret shumë më shumë nga ne dhe se populli nuk pret asgjë nga ata dhe ka të drejtë. Kur unë pres më shumë nga vetja dhe nga ju, imagjinoni dikush që nuk ka as ngenë dhe as arsyen që të justifikojë mungesën e gjërave që pret apo të shohë të njëjtën vëmendje për të parë me lupë çfarë ne kemi bërë dhe të arsyetojë pse nuk bënim dot më shumë.
Ne kemi mjaftueshëm kohë për të përmbushur pritshmëritë. Kemi mjaftueshëm kohë për ta ristartuar kompjuterit për procesin e rikrijimit të skuadrës fituese. Troç farë, deputetë jemi në sallën e kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot jemi kandidatë për deputetë. Kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, por gjithçka duhet, nuk do të jenë në atë formacion e ardhshëm”, u shpreh Rama.
Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar që hapi sezonin politik të zhvilluar në Elbasan kryeministri i ka njohur deputetët me ndryshimet në drejtimin e qarqeve.
Ai vetë ka vendosur të marrë drejtimin e Durrëst pas largimit të Dakos, Tiranën si bashki do e drejtojë Erion Veliaj, ndërsa qarkun Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati.
Në Shkodër shkon Ilir Beqja, në Lezhë rikthehet Lindita Nikolla 1 vite pasi u drejtua nga Sandër Lleshaj, Kukësi do të drejtohet nga kryebashkiaku Safet Gjici ndërsa në qarqet e tjera nuk ka patur ndryshime. Asambleja Kombëtare është vendosur të zhvillohet të premten e 4 Shtatorit kur do të votohet dhe për Kryesinë e re socialiste.