Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Durrës në kantierin e shkollës “Neim Babameto”. I shoqëruar nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Rama ka parë nga afër punimet dhe ka kërkuar që shkolla të jetë gati në deri në Nëntor të këtij viti.
Ministri Ahmetaj ka thënë se kjo është shkolla me më shumë nxënës në Durrës dhe do të jetë shembull.
“Ka 1064 nxënës dhe është më e madhja, e dyta për sipërfaqen e ndërtimin. Kjo do jetë me standarde shumë të larta dhe do jetë shembull”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë nga ana tjetër, Rama kërkoi që të punohej me ritme të shpejta dhe shtoi se njerëzit duan të kthehen në banesat e tyre.
“E rëndësishme është që të dëgjojnë të gjithë që me procedurat dhe me ritmin tonë jemi shumë mirë, pasi me procedurat e Bashkimit Evropian ne jemi ende në vigjilje të fillimit të punës. Faktikisht ne jemi 6 muaj përpara, që do të thotë që kemi punuar me një ritëm marramendës dhe do bëjmë maksimumin e mundshëm. Por i kuptoj njerëzit që një ditë u duket si një vit dhe duan të kthehen në shtëpi”, u shpreh kreu i qeverisë.
Shkolla “Neim Babameto” u shemb pas tërmetit të 26 Nëntorit në Durrës dhe projekti për rindërtimin e saj është bërë nga arkitekti italian, Mario Cuccinella.