Ekonomi Rama: Koha e bujqësisë së lëmoshës ka perënduar

Rama: Koha e bujqësisë së lëmoshës ka perënduar

Në sajë të garancisë sovrane në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekë, kryeministri i vendit, Edi Rama është shprehur se janë 6 mijë përfitues nga ky fond.

Edi Rama: Koha e bujqësisë së lëmoshës ka perënduar ashtu si kundër ka perënduar dhe koha e bujqësisë vetmitare, e atyre që mbeten thjesht në kufijtë e ngastrës së tyre pasi është e pamundur, sado që të bëjë qeveria apo shteti për ta, që të garantohet një e ardhme më e mirë, apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër.

Dua të ju them të gjithë atyre që sot me gjasë na ndjekin për të përsëritur një mesazh nga ana jonë se duhet të jenë më shumë këmbëngulës që në sektorin e bujqësisë, është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, me syrin e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe po ashtu patjetër beson dhe tek ndërveprimi. Tani praktikisht hapi rrugën e një qasjeje nëpërmjet një linje kredie dhe mundësisë së ndarjes së rriskut. Ajo që kemi sot para syve nuk është një arsye për të qenë plot të kënaqur, por plotësisht të bindur se kjo është rruga. Janë 6 mijë përfitues nga ky fond.

Nga qeveria shqiptare vihet në dispozicion një fond tjetër për të mundësuar rritjen në këtë rrugë. Unë jam shumë i bindur që sot Shqipëria i ka të gjitha rastet e suksesit. Cila është rruga e të ardhmes në modernizimin e sektorit të prodhimit bujqësor, të përpunimit, të agropërpunimit. Rruga e të ardhmes nuk është më ajo e ndjekur jo më nga 2-3, por nga qindra që po bëhen mijëra dhe na takon ne si qeveri, i takon Ministrisë së Bujqësisë që të investohet seriozisht për të promovuar këto shembuj në sytë e të gjithë të tjerëve për të treguar me forcën e veprave të këtyre aktorëve se suksesi është i mundur dhe rruga e të ardhmes është e mundur, për ato që janë në kushte duke u bashkuar, të prodhojnë dhe të eksportojnë, por edhe në ato që të investojnë në agro-turizëm për ta sjellë konsumatorin tek dera e shtëpisë”.