Politika Rama: Kosova të tregojë që rajoni i përket Procesit të Berlinit dhe...

Rama: Kosova të tregojë që rajoni i përket Procesit të Berlinit dhe jo ëndrrave të Kremlinit

Pas mbështetjes që Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel i dha idesë së kryeministrit Edi Rama për një konferencë të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshje, kreu i qeverisë shqiptare e ka konsideruar lajm të mirë progresin deri në këtë pikë.

Në një reagim në llogarinë e tij në Twitter, kreu i qeverisë shprehet se rajoni nuk mund të merret zvarrë nga, siç u shpreh ai, një konflikt krejt i kotë.

Rama bën thirrje për një rajon të bashkuar në mënyrë që të çohet përpara procesi i integrimit. Po ashtu, sipas tij, kjo është koha që autoritetet e Kosovës të dëshmojnë me vepra që rajoni i përket Procesit të Berlinit dhe jo “ëndrrave të Kremlinit.”

“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel.

Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal.

Sot kur në Bruksel ka hyrë në axhendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Europian… Autoritetet e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që atyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë”, shkruan Rama në Twitter.