Politika Rama krah Stoltenberg: Të rriten trupat e NATO-s në Kosovë, kufiri jashtë...

Rama krah Stoltenberg: Të rriten trupat e NATO-s në Kosovë, kufiri jashtë kontrollit

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në konferencën e përbashkët në Shkup me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderët e rajonit.

Ai tha se është me rëndësi të shtohen forcat e NATO-s në Kosovë dhe të mbahet nën kontroll kufiri i cili aktualisht është të shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikimit të armëve, drogës dhe aktiviteteve të cilat më pas ngatërrohen dhe me aktivitetin politik me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda siç ishte ai në Banjskë.

“Dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Theksova dhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë që faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë edhe me aktivitetin politik me sfond ultranacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i Policisë së Kosovës dhe doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

Kryeministri tha se gjatë takimit ka propozuar ndërtimin e një formati të Samitit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në rajon, por dhe vendet partnere të NATO-s, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që s’janë të pranishme, si dhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin dhe që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe procesin demokratik të rajonit.

Rama shtoi gjithashtu se kishte biseduar me Stoltenberg që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar bazën e re detare në Porto Romano të bëhej sa më shpejt sepse, siç u shpreh kryeministri besojnë se çdo gjë që ndodh hap pas hapi përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë.