Kryeministri Edi Rama thotë se opozita po i përdor minorenët njësoj siç terroristët përdorin fëmijët për kamikazë.
Teksa shpërndau pamjet e shkatërrimit që disa të rinj i bënë selisë së Partisë Socialiste në Shkodër këtë të shtunë, ai shkruan:
“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!“
“Uroj shumë dhe besoj fort se nuk ka prind demokrat e opozitar që ta pranojë këtë abuzim ekstrem me kalamajtë të udhëheqësve pa atdhe, pa din e as iman, pa shpirt e as tru, të kësaj opozite të mjerë në boshllëkun e saj moral dhe karakterin e saj kriminal! Mos i harroni këto kurrë!“.
Çfarë është grupi terrorist Boko Haram?
Grupi militant nigerian, Boko Haram, ka qenë në titujt kryesorë të lajmeve pasi ka rrëmbyer qindra vajza në pjesën veriore, që është edhe rajoni më i dhunshëm i Nigerisë.
Boko Haram është një grup militant islamik me bazë në veri të Nigerisë. Grupi ekstremist lufton për të rrëzuar qeverinë dhe për të krijuar një shtet islamik. Ai ka bërë kërdi në vend me bombardime, vrasje dhe rrëmbime masive.
Emri zyrtar i Boko Haramit është Jama’atu Ahlis Sunna Lidda’awati wal-Jihad, që në përkthim nga arabishtja do të thotë: Njerëz të angazhuar për përhapjen e mësimeve të Profetit dhe xhihadit.
Megjithatë, ai njihet gjerësisht si Boko Haram, që në përkthim nga gjuha lokale Hausa do të thotë “Edukimi perëndimor është i ndaluar”.
Ai ka një lloj mbështetjeje në pjesën veriore të Nigerisë, të banuar me myslimanë, veçanërisht në zonat rurale.
Interpretimi i tij fundamentalist i Islamit e bën “haram” ose të ndaluar për myslimanët që të marrin pjesë në çdo aktivitet social, politik dhe arsimor, që lidhet me Perëndimin. Kjo përfshin pjesëmarrjen në zgjedhje, arsimin laik dhe veshjen perëndimore.
Qëndrimet e tilla kanë bërë që disa t’i quajnë militantët e Boko Haramit “talibanë nigerianë”.