Aktualitet Rama kritika Policisë Rrugore: Presioni mbi shoferët për të marrë ryshfet është...

Rama kritika Policisë Rrugore: Presioni mbi shoferët për të marrë ryshfet është i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Policinë Rrugore. Në një takim me drejtuesit e policisë, kreu i qeverisë u shpreh se presioni mbi qytetarët për të marrë ryshfet është një sjellje e neveritshme që duhet të ndalohet.

Më tej ka inkurajuar SHÇBA-në që të vijojë dhe të hetojë të gjitha rastet e shkeljeve që bëjnë policët.

“Lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit të vogël sidomos të policia rrugore janë të patolerueshme. Dua të vlerësoj rolin e SHÇBA dhe njëkohësisht ta nxis publikisht SHÇBA që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne e kemi rritur edhe në harmoni me pritshmërinë e qytetarëve rolin ndëshkues të policit rrugor ndaj shkeljeve në rrugë.

Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshme të përfitimit të ryshfetit dhe e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkues të policit rrugor qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor. Vetë strukturat e policisë dhe SHÇBA konstatojnë se në punën e komisariatet rastet e denoncimeve të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur“, tha Rama.

Rama: Patrulla e Përgjithshme dhe Shqiponjat kanë kapërcyer rolin e tyre

Kryeministri Edi Rama takimin e me strukturat e policisë së Shtetit e ka nisur me kritika. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se efektivët e Patrullës së Përgjithshme dhe të Shqiponjave kanë një sjellje që tejkalojnë rolin e tyre.

Rama u bëri thirrje të gjithë policëve që të tregohen më etikë me qytetarët, pasi siç tha komunikimi është shumë i rëndësishëm.

“Pritshmëria dhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës. Pritshmëria lidhet me domosdoshmërinë që Policia e Shtetit të japë rezultate në çdo hap e më domethënëse pakënaqësi shkon bashkë me pritshmërinë.

Dua ta nis këtë renditje të problematikave nga raporti i policisë së shtetit me qytetarët, që është A dhe ZH-ja e jetës së përditshme. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikimin me qytetarët sidomos nga ana e forcave Shqiponja dhe Patrulla e Përgjithshme të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre të shënohen si raste të rritura.

Rritja e rasteve të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet, nevojat dhe ankesat e qytetarëve. Imazhi shumë pozitiv i ndërtuar në këto vite i Policisë së Shtetit nuk mund të cënohet e aq më pak të lëndohet duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik“, ishte kjo një pjesë e fjalës së Ramës.