Ndonëse krizën aktuale politike e konsideroi diçka të përsëritur, kryeministri Edi Rama veçoi në emisionin ‘Open’ në Top Channel, një element të ri nga kriza e vitit 2017-të, kur opozita ngriti çadrën në bulevardin kryesor të Tiranës, me të njëjtat kërkesa.
Sipas Ramës, ndryshimi në 2019-ën është se opozita ka një vendosmëri për të shkuar deri në fund rrugës ‘qorre’. Ai theksoi se kjo sjellje do të sjellë vetëvrasjen politike të PD dhe LSI.
“Nuk është e re kjo situatë është e përsëritur, e kemi parë të gjithë 2 vite më parë. Ka ndryshuar forma, nuk është më një çadër që i mbledh njerëzit nën strehën e saj, por është një parti që ka braktisur Parlamentin pa kthim, ka veshur jelekët e verdhë të një lëvizjeje që është karakteristike e grupeve që krijohen për t’u bërë vizibël, por asnjëherë e partive politike, dhe kërcënon se nuk do të ketë zgjedhje nëse nuk bëhet siç duam ne.
Ndryshimi është në faktin se jemi në kushtet kur ka një vendosmëri për t’i shkuar deri në fund një rruge qorre që në këndvështrimin tim është vetëvrasje politike dhe nga ana tjetër thirrjeve për dialog dhe për të diskutuar pa kushte i vjen e njëjta përgjigje e përsëritur pa pushim dhe destinuar që të mbetet një kllapë brenda së cilës ky grupim politik partish është i destinuar të tretët”, tha Rama.
I pyetur nëse sheh ndonjë përgjegjësi të mazhorancës për këtë krizë, Rama u përgjigj: “Unë kam konstatuar dy përgjegjësi të mëdha, njëra është që ne kemi fituar zgjedhjet në mënyrë dërrmuese me opozitën që tani ka dalë në rrugë dhe kjo e bën opozitën që t’i friket zgjedhjeve dhe përgjegjësia tjetër është që ne kemi çelur një rrugë pa kthim të reformimit të sistemit të drejtësisë, të cilën këto forca që janë tani rrugës, nuk e kanë dashur.
Frika nga zgjedhjet, paniku nga reforma në drejtësi janë shtysat që kanë përcaktuar këtë rrugë qorre ku ka hyrë opozita.”
Pyetjes nëse ka ndonjë ofertë për opozitën për të zgjidhur krizën, Rama iu përgjigj: “Unë kam një ofertë të qartë: 30 qershorin për të gjithë ata që duan të marrin pjesë dhe të votojnë për kandidatët në garë.”
Kryeministri refuzoi të pranonte edhe krahasimet me konfliktin e vitit 1997-të pasi, sipas tij, “konflikti civil është një fjalë e madhe”.
“Që të ketë konflikt civil duhet të ketë një popull në konflikt, këtu nuk ka një popull në konflikt… ‘97 ishte populli me një Qeveri që ishte katandisur në një regjim që shkatërroi financiarisht shqiptarët”, tha ai.