Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorë të njësisë administrative nr. 1 në Tiranë, tha se me ndryshimin e Kodit Penal, çdo person që do të dënohet për krime elektorale nuk do të lejohet të dalë jashtë vendi për 5-10 vjet.
“Do të kalojmë Kodin Penal nesër. 5 deri në 10 vjet do të ndalojmë daljen nga shteti të atyre që dënohen për krime elektorale. Me Kod Penal, nesër. Plus që jemi në kontakte dhe jam i bindur që jo vetëm SHBA, që e ka të prerë që s’ka për të shkelur njeri nga këta në SHBA, por edhe në BE i kemi të gjitha indikacionet e qarta që do të vendosen në listat e zeza dhe le të shkojnë e të japin lirinë e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre, për Lulin e për Fallxhoren e për këtë, Spahiun. 5 deri në 10 vjet do ta vëmë në Kodin Penal mbasi dënohesh, del nga burgu, nuk shkon jashtë shtetit 5-10 vjet, në varësi nga merret pasaporta dhe rri këtu“, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit tha se kjo vlen edhe për maxhorancën dhe për opozitën.
“Kjo është skandal. Kushdo që të jetë, bën blerje votash e dreq e shejtan, le të dënohet dhe të rrijë edhe 10 vjet pa dalë jashtë shteti. Le të jetë ça të dojë. Kjo vlen për ne, për ata dhe për të gjithë. Kush luan me zgjedhjet. Ne s’kemi nevojë, sa të kemi popullin me vete, kur s’e ke popullin le të fitojnë ata“, përfundoi Rama.