Aktualitet Rama lë të hapur mundësinë e legalizimit të kanabisit për përdorim vetjak

Rama lë të hapur mundësinë e legalizimit të kanabisit për përdorim vetjak

Dy ditë pasi deklaroi se do të legalizojë kanabisin për kultivim mjekësor, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për ta çuar nismën më tej.

Gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, të mbajtur në Pallatin e Kongreseve të shtunën, kreu i qeverisë tha se vitin e ardhshëm do të merret mendim nga qytetarët për legalizimin e kanabisit për përdorim rekreativ.

“Do të krijojmë vende të reja pune me ngritjen e strukturave teknologjike për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Se nuk është për qëllime përdorimi vetjak. Vitin tjetër do t’i pyesim shqiptarët patjetër, e doni për përdorim vetjak? Do t’i pyesim se e kanë bërë treçereku i vendeve të botës, do t’i dëgjojmë. Kush thotë jo le të mobilizohet, edhe Rithemelimi. Dhe kështu me radhë të gjitha deri te Ballkani i Hapur”, tha Rama.

Në pyetësorin e Këshillit Kombëtar, një nga 12 pyetjet ishte nëse duhet lejuar kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore.

Rezultati tregoi se 61% e shqiptarëve të pyetur janë shprehur pro legalizimit të kanabisit për përdorim mjekësor.

Në bazë të të dhënave të sondazhit të organizuar në datat 19 janar-31 mars, rreth 309 mijë nga mbi 500 mijë shqiptarë i janë përgjigjur pozitivisht.