Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se pasditen e sotme do të ketë një komunikim me Presidenten e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
“Sot pasdite bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. Më pas, në orën 18:30, do t’ju komunikoj mesazhin tim të drejtpërdrejtë”, shkruan Rama në Facebook.
Ai falenderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin dhe zbatimin e rregullave të reja. Ai thotë se duhet besim për masat që ka marrë qeveria sepse janë gjëja e duhur në këtë situatë, e cila sipas tij do të zgjasë dhe nuk është lojë “kukamçefti”.
“Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin fantastik dhe zbatimin mbresëlënës të rregullave të luftës, që me këtë unitet të fortë do ta përballojmë me patjetër! Besim se gjithçka po bëjmë është gjëja e duhur, në çdo hap e çdo ditë dhe durim, durim, durim, sepse kjo luftë nuk do të jetë e shkurtër dhe s’është gjëkundi një lojë kukamçefti, ku po u “fshehëm” një javë ia hodhëm! Ju siguroj të gjithëve se po punojmë ditë-natë për të mos lënë vetëm asnjë shqiptar dhe për të bërë gjithçka për shëndetin e për ekonominë familjare dhe kombëtare po ashtu! Durim, durim, durim! Frikë aspak, kujdes po! Do t’ia dalim edhe kësaj lufte medoemos”, thotë Rama.
Numri i të prekurve me koronavirus në vendin tonë arriti në 51 ditën e sotme, ndërsa pak më herët, Kryeministri njoftoi se do të ndalohen fluturimet me Britaninë e Madhe.