Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin elektoral për ujin dhe energjinë, duke u shprehur se në mandatin e tretë, Tirana, Kamza, Vora, bashkë me 61 bashki të vendit, do të kenë 24 orë ujë të pijshëm.
“Uji ka qenë premtimi që e ka bërë çdo parti, e kemi bërë edhe ne. Ka vetëm një ndryshim mes nesh dhe të tjerëve. Është i njëjti ndryshim si kudo. Në çdo drejtim, për çdo gjë. Ne themi atë që bëjmë dhe punojmë fort pa pushim për të bërë atë që themi. Kemi 7 vjet, 8 vjet dhe prapë ka plot familje ku uji nuk shkon 24 orë. “Pse nuk e keni bërë?”, mund të thotë çdokush. Sepse nga e thëna në të bërë është një det i tërë. Dhe nga e thëna tek e bëra për ujë 24 orë në çdo rubinet, ka qenë një nga detet më të mëdhenj, ndoshta më i madhi. Edhe më i dallgëzuar se ai i tërbuar që na ndante mes të shkuarës e të ardhmes në sektorin e energjisë”, tha Rama.
“Në dy vitet e fundit janë hapur mbi 200 kantiere për veprat e ujësjellës-kanalizimeve, që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti. Mandati i tretë do të garantojë furnizim me 24 orë ujë në Tiranë, ku është problemi i madh, ku ka pasur nevojë për investime masive. Kur them Tiranë, 24 orë ujë brenda mandatit të tretë, përfshi Kamzën dhe Vorën, e njëjta gjë me Shkodrën, Durrësin dhe Vlorën. Ku nuk ka pasur kurrë 24 orë ujë. Ka përmirësim të ndjeshëm. Përfshi Elbasanin, Kukësin e krejt vijën turistike nga Saranda në Konispol. Me rritjen e buxhetit për ujin me 40%, falë jo vetëm, por edhe me financimin nga qeveria franceze, gjermane e zvicerane, më në fund do të garantojmë 100% ujë të pijshëm 24 orë në 61 bashki”, shtoi Rama.