Kryetari i PD, Lulzim Basha propozoi ditën e shtunë pesë pika për t’i ardhur në ndihmë biznesit që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryeministri Edi Rama mbështeti një pjesë të këtij plani këtë të diel. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri thotë se disa prej këtyre pikave të propozuara nga opozita janë pjesë e planit të hartuar nga Komiteti Kombëtar i Rindërtimit.
“Një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit dhe Ministrja e Financave. Por vazhdoj të të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, tha Rama.
Mes pikave të propozuara nga PD është përjashtimi nga taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë biznesin në zonat e prekura, përjashtimi nga tatim-fitimi për subjektet që e investojnë fitimin për t’u rimëkëmbur nga tërmeti, pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën e rikuperimit, përjashtimi nga TVSH për të gjitha materialet dhe lëndët e para dhe pezullimi e fshirja e pagesave të faturave të energjisë elektrike dhe ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.