Kryeministri Edi Rama ka dalë dalë në një konferencë për mediat për të folur për përmbylljen e mandatit të dytë qeverisës.
Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës është futur në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend.
Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.
Kryeministri Edi Rama tha se mandati i dytë mbyllet me një notë pozitive, ku qeveria ia doli të kalonte të dy sfidat atë të tërmetit dhe pandemisë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e re do të shpallet në javën e ardhshme.
Teksa falenderoi ministrat aktualë, Rama tha se ishte falënderues dhe iu bëri me dije se ishte nder për të që të punonte me ta.
“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme. Jemi skuadër kampione, kemi shumë për çdo rol. Ky është në fakt avantazhi ynë i madh përballë rivalëve. Me shumë mirënjohje për të gjithë ju, për secilin nga ju në këtë qeveri, ju falenderoj për këtë periudhë sfiduese që kaluam në tryezën e qeverisë së Shqipërisë. Ishte nder për të gjithë ne! Shumë faleminderit”, tha Rama.
Ai ka pasur edhe një apel të fortë për qytetarët që të vaksinohen pasi shmangin fatalitetin nga COVID-19 dhe se të gjitha vaksinat janë efektive.
“Mbyllet me një notë pozitive besoj unë puna e një mandati të vështirë ku tërmeti dhe pandemia diktuan një forcë të pashembullt ndryshimi e prioriteteve tona qeverisës. Edhe nuk ka mbaruar pandemia dhe as ka përfunduar rindërtimi, por me të dyja kemi marrë një avantazh të konsiderueshëm. Përtej konsideratave dhe kritikave për menaxhimin e dy krizave do të jetë në gjurmët e historisë së qeverisjes në këto 30 vite. Kemi ende fatalitet nga pandemia fatkeqësisht, por këto janë edhe një mësim domethënës për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që marrin frymë nga respiratorët nuk është i vaksinuar, ndërkohë që disa të vaksinuar nuk shfaqin shenja të rëndimit të gjendjes dhe të kenë nevojë për intubim. Për skeptikët e Sinovac mbase velen e dhëna se të shtruarit ndahen përgjysmë, të vaksinuarit me Pfizer dhe me Sinovac. U bëj apel atyre që të bëjnë vaksinën dhe të mos humbasin kohë dhe të heqin mendime te gabuara se Pfizer bën dhe Sinovac jo. Vaksina duhet të bëhet patjetër”, tha Rama.