Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti pasi ky i fundit deklaroi se qeveria e tij do të heqë taksën 100% ndaj Serbisë.
Në një postim në Twitter, Rama shprehet kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për të cilin thotë se ka nisur baltosjen e Kurtit. Sipas Ramës, Kurti nuk është shërbëtor i Serbisë.
Ai thotë se kreu i qeverisë kosovare është në rrugën e duhur, ndërsa heqja e taksës tregon se Kurti nuk është lider opozite në zyrën e kryeministrit.
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës! Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës”, thotë Rama.
Rama thotë se taksa 100% ndaj Serbisë, i ka bërë shumë dëm Kosovës. Sa i përket idesë se ajo do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia, kreu i qeverisë shqiptare thotë se “është një idiotësi e madhe”.
“Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës,se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, u shpreh Rama.
Më 27 shkurt, kreu i qeverisë kosovare, Albin Kurti, deklaroi se nga 15 Marsi do të hiqet taksa 100% ndaj Serbisë. Ai u shpreh se pret që Serbia të heqë dorë nga fushata e saj për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës pas këtij veprimi.
Mirëpo të menjëhershme ishin dhe reagimet. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj e quajti Albin Kurtin mashtrues dhe tha se u dorëzua përpara Serbisë. Sipas ish-kreut të qeverisë ky vendim është fillimi i kthimit të Rusisë dhe Serbisë në Kosovë.