Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin për t’u përfshirë në projektin hekurudhor Durrës-Prishtinë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës për mediat me Sekretarin e Jashtëm britanik David Cameron nga Tirana.
“Kemi një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi dhe në Tiranë pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri. Sot kemi diskutuar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre për të cilin kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë. Dhe pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën. por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë e cila është një element kyç i projektet të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve por në rajon dhe më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit. Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO për krahun ushtarak të portit të Durrësit, edhe Kosova do ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Ky është një projekt që tejkalon interesin e dy vendeve tona dhe që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet qoftë me financimin qoftë dhe me ekspertizën”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare përmendi edhe çështjet e tjera që bisedoi me Sekretarin Cameron, përfshirë dhe goditjen e emigracionit të parregullt.
“Sekretari është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve transformuese të rajonit tonë.
Kemi folur edhe për projektin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe patjetër që jemi shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, por operacioni ynë i përbashkët do vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim. Do t’i shkojmë në rrënjë këtij fenomeni që ka të bëjë me rrjetet e krimit.
Së treti, kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të bashkëpunimit në rajonit. Cameron është mbështetës i vendosur i këtyre proceseve.
Dëshiroj te falenderoj Kryeministrin Sunak edhe Lordin Cameron për gatishmërinë e tyre për të mbështetur ofrimin e Shqipërisë që vitin e ardhshëm të bëhet vendi pritës i samitit të madh të komunitetit të përbashkët europian që do të mbahet për këtë vit në 18 Korrik në Londër”, theksoi Rama.