Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën për qëndrim me dy standarde sa i takon rezolutës për gjenocidin serb në Srebenicë. Në këndvështrimin e liderit demokrat, rezoluta fsheh me qëllim ideologun e këtij gjenocidi që është Sllobodan Millosheviçi dhe Aleksandër Vuçiçi. Berisha thekson se ky i fundit e ka vendin në Hagë, por socialistët nuk guxojnë.
“Sot vendi im mund të ishte kudo tjetër, por jo në këtë parlament që është një nga shkaqet madhore të revoltës popullore që nis sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe ndalet me rrëzimin përfundimtar të regjimit komunist dhe autokracisë kriminale të Ramës. Gjenocidi si forma më e urryer e krimeve kundër njerëzimit, nuk mund të mos më sillte këtu për ta dënuar me forcën më të madhe barbarinë serbe ndaj popullit boshnjak dhe në rajon. Pasi refuzuat në mënyrë absurde një rezolutë të plotë nga opozita, ju sollët një rezolutë që unë e vlerësoj se dënon gjenocidin, por rezoluta juaj është e njerëzve zemërthyer, me qëndrim të dyfishtë. Nga një anë dënoni gjenocidin, por nga ana tjetër fshihni me qëllim ideologun dhe arkitektin e gjenocidit në Bosnjë Sllobodan Millosheviçin dhe vëllain e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiçin. Po si mund ta bëni ju këtë kur në të gjitha mediat e botës ekziston deklarata në parlament dhe në Bosnjë e Vuçiç i cili udhëzon dhe zotohet se për çdo serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë. Vuçiçi ka vetëm një vend, ai është Haga dhe ju vetëm që nuk guxoni ta dërgoni në Hagë, por bëni gjithçka për ta kufizuar në forcat serbe në Bosnjë pa iu referuar dhe kasapëve të Bosnjës, Mlladiç dhe Karaxhiç. Sa u nderon kjo? Çfarë ju shtyn ju të mos jini të hapur dhe ta dënoni me shpirt e zemër masakrën më të madhe që ka njohur Europa? Çfarë ju shtyn ju të fusni një frazë ku flisni për vrasjet në Kosovë dhe jo gjenocid në Kosovë? Çfarë është kjo? Ç’është ky kapitullim e nënshtrim i juaji? Nuk keni qenë në gjendje të perifrazoni rezolutën e PE. Pse kreu juaj është shndërruar në vasal të Vuçiç, apo se ndiqni dhe ju Ballkanin e Hapur për krimin, për Serbinë për hegjenominë serbe e influencën ruse?”
Standardin e dyfishtë, mazhoranca shqiptare, sipas Berishës, e ka edhe ndaj qëndrimit për Ukrainën, ku nga njëra anën e dënon luftën ruse dhe nga ana tjetër pranon turistë rusë në vend që vijnë përmes urdhrave, sipas tij, të Beogradit.
“Ju dhe ndaj qëndrimit në Ukrainë mbani qëndrim të dyfishtë nga një anë e dënoni nga një anë i pranoni këtu për të marrë veten në plazhet e Shqipërisë. Me urdhër të Vuçiç dhe Lavrov. Ndaj dhe rezoluta duhet të ndalojë çdo turist rus të shkelë në territorin e Shqipërisë. Se nga njëra anë nuk pranoni të dënoni Vuçiçin i cili është filmuar se për çdo serb të vrarë 100 myslimanë si rregulli i gestapos nga ana tjetër flisni për Ukrainën dhe pranoni në Shqipëri xhelatët rusë që iu vijnë nga Beogradi me linjë ajrore të Serbisë që e bën 18 herë në javë rrugën Moskë-Beograd. A mund të pranohen ata që i kanë duart me gjak? Rezoluta për dënimin e gjenocidit serb është domosdoshmëri”.