Qeveria shqiptare nuk do të financojë më studime jashtë, por do të financojë nxënësit ekselentë këtu. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në ceremoninë e dekorimit me “Medaljen e artë” për të rinjtë e të rejat që përfunduan gjimnazin me rezultate të shkëlqyera.
“Ne kemi vendosur që ta ndryshojmë komplet sistemin e mbështetjes së ekselentëve, dhe këtu nuk flasim për atë pjesën që i quajmë ekselentë nga 9-ta tek 10-ta. I kemi quajtur ekselentë për lehtësi komunikimi, por nëse ata me 9-ta janë ekselentë, ju i bie të jeni UFO. Këtu unë po flas për UFO-t. Ju e dini që ka pasur një program prej vitesh që qeveria shqiptare, programi i vjetër i hershëm, i bërë me qëllim të mirë në fakt, nuk diskutohet, e kemi vazhduar dhe ne po me atë qëllim të mirë, të jepte fonde për të financuar studimet e studentëve shqiptarë në një listë universitetesh më të mira të botës dhe kemi financuar 20, mesatarisht, studentë në vit. Mirëpo, as edhe njëri nuk ka pasur mirësinë që, në njëfarë mënyrë, t’ia kthejë këtij vendi investimin. Kështu që, ne nuk do financojmë më studime jashtë por do financojmë UFO-t këtu, pra, ata si ju apo të tjerë, kuptohet më të gjitha ato kritere dhe do bëjmë një financim të konsiderueshëm duke mos dhënë një bursë por një pagë, një pagë minimale natyrisht, por një pagë, për çdo student që është i këtij niveli”, tha kreu i qeverisë”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe protestën e pedagogëve. Sipas shefit të qeverisë, në auditorë vijojnë mësimdhënia, duke tentuar kështu të minimizojë impaktin e protestës.
“Ju jeni njerëz seriozë, madje jeni shumë seriozë sepse e keni marrë shumë seriozisht punën tuaj, keni mbaruar të mesmen dhe jeni në rrugën e universitetit. Po të shikoni ato ekranet, universiteti nuk bën mësim. Në universitet ka një tenxhere të madhe që vlon, pedagogët janë në bojkot, studentët s’marrin mësim. Po të shkoni nëpër universitete është ndryshe. Ka disa pedagogë që janë në drejtim të paditur dhe ka një pjesë tjetër që është pjesa më e madhe që vazhdojnë bëjnë mësim normalisht. Bëni çmos që të imunizoheni nga ky realiteti paralel në të gjitha aspektet dhe bëni çmos që të vazhdoni të bëni këtë që keni bërë deri tani. Gjërat nuk do shkojnë duke u bërë më të lehta, do shkojnë duke u bërë më të vështira. Por mos harroni kurrë një gjë. Çfarëdolloj ëndrre që të shihni duhet të dini që përderisa e shihni ju mund ta realizoni”.