Kulturë Rama me Elhaida Danin: “Notre-Dame de Paris” të dielën në stadiumin “Air...

Rama me Elhaida Danin: “Notre-Dame de Paris” të dielën në stadiumin “Air Albania”

“Notre-Dame de Paris”, spektakli më i shikuar në Europë, me rekorde Guinnes për numrin e ndjekësve të tij vjen të dielën më 28 maj në stadiumin “Air Albania”

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga biseda në podcast-in “Flasim” me këngëtaren Elhaida Dani, e cila luan rolin e Esmaraldës.

“‘Notre-Dame de Paris’, spektakli më i shikuar në Evropë, me rekorde Guinnes për numrin e ndjekësve të tij, që prej 25 vjetësh vazhdon mbush plot arenat dhe kërkohet nga të gjitha moshat e kategoritë sociale, vjen të dielën më 28 maj në “Air Albania Stadium” në Tiranë, bashkë me yllin shqiptar, Elhaida Dani”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se, pas shumë e shumë herësh, ëndërruar e tentuar, tani vjen në Shqipëri “Notre-Dame de Paris”.

Ndërsa Dani u shpreh se, kjo është diçka që e bën superkrenare, sepse e meriton ky vend.

“Është 360 gradë një histori dashurie, hakmarrje, lirie. Kërkon liri. Populli do të dashurohet në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse të ndryshon jetën. Nuk duhet humbur për asnjë arsye në botë”, tha Dani.

Muzikali është i shkruar nga muzikanti Riccardo Cocciante dhe tekstshkrues është Luc Plamondon. Elhaida u ftua nga të dy autorët e projektit për të luajtur rolin e Esmeraldës në muzikalin e famshëm botëror, i cili është pjesë e librit Guinness. Gjithashtu, duke njohur terren të gjerë nëpër botë, vepra është e përkthyer në 7 gjuhë të tjera.

“Notre-Dame de Paris” është një lidhje muzikore mes kulturës franceze dhe asaj kebekuaze, e cila debutimin e saj të parë e pati më 16 shtator 1998 në Paris. Ajo bazohet në romanin me të njëjtin titull (The Hunchback of Notre-Dame) të romancierit francez Victor Hugo.

Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre Dame de Paris”, po udhëtojnë anekënd botës. Ky është prej spektakleve më të mëdha në botë, ndaj edhe trupa përfaqësuese është mjaft profesioniste.