Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnizuesit e naftës për rritjen e çmimeve. Kreu i qeverisë i njoftoi ata se qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit me karburant.
Kreu i qeverisë tha se brenda 24 orësh do të kalojë një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe për të administruar furnizimin do të ngrihet një Bord Kombëtar i Furnizimit me Karburant. Në këtë bord do të jenë përfaqësues të qeverisë dhe 5 përfaqësues të furnitorëve me karburant.
Rama njoftoi se çmimet do të miratohen nga bordi dhe kush shkel rregullin do të humbasë pikën e karburantit. Kreu i qeverisë bëri thirrje për patriotizëm dhe u shpreh se “kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar”.
Ndërhyrjen e qeverisë e sheh të domosdoshme pasi sipas Ramës jemi në kohë lufte dhe “nuk kemi asnjë rrugë tjetër”.
“Mendoj që sot duhet të jeni të vetëdijshëm që i përkisni asaj pjese të shoqërisë shqiptare që duhet të bëjë sakrificë. Shumë e thjeshtë. Duhet të ndihmoni veten me kujtimin e asaj që ishit përpara se të ishit ata që jeni. Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar. Kjo është koha për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe. Nuk mund të ndodhë që ju të fitoni asgjë më shumë se sa ju duhet të mbështesni, furnizoni popullin shqiptar. Në këto kushte ne do të kalojmë brenda 24 orësh një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me ju përmes një Bordi Kombëtar të Furnizimit me Karburant. Çdo ditë ju dhe qeveria, pra përfaqësuesit e qeverisë dhe konkretisht Ministrja e Financave dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Tatimeve, Drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju. Zgjidheni ju! Nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim që nuk është miratuar nga bordi. Nëse dikush bën këtë humb pikën e karburantit. Kjo është luftë, këtu nuk funksionojnë rregullat! Nuk jam ideolog i tregut të lirë apo i shtetit si fuqi diktuese në ekonomi. Thjesht dhe vetëm besoj se liria ekonomike është themelore dhe nuk i shkoj teorisë që shteti duhet të futet për të kontrolluar çmimet. Shteti nuk e bën dot edhe sikur të dojë. Kudo ku është bërë nuk ka funksionuar, por këto janë historira të një kohë paqeje, por jemi në kohë lufte. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Ju e dini më mirë se sa unë”, tha Rama.
Bordi Kombëtar i Furnizimit me Karburant do të mblidhet çdo ditë. Kryeministri Edi Rama kërkoi që ditën e parë përfaqësuesit të ishin të pranishëm fizikisht. Në fund të mbledhjes do të jepet çmimi që do të shfaqet në tabelë dhe kryeministri vuri theksin tek zbatimi i këtij rregulli.
Kryeministri u shpreh se nuk është qëllim i qeverisë të imponojë çmime, por do të garantojë transparencën e plotë. Rama njoftoi se qeveria do të angazhohet nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe energjisë për të krijuar rezervën e vet duke përdorur Albpetrolin.
“Brenda paradites së nesërme bëni me dije 5 përfaqësuesit për bordin kombëtar të furnizimit me karburant. Nesër pasdite bordi do të mblidhet. Natyrisht si mbledhje e parë, e mira do ishte me prezencë fizike dhe çdo ditë bordi do të mblidhet me “Zoom” dhe të gjithë të tjerët që dëshirojnë të hyjnë dhe të ndjekin mund ta ndjekin, pra furnizuesit dhe të gjithëve në fund do t’u jepet çmimi që do të shfaqet në tabelë ditën e nesërme nga bordi. Nuk është as qëllimi dhe as prirja e qeverisë që të imponojë çmime sepse kjo nuk funksion e dimë shumë mirë, por qeveria do të garantojë transparencën e plotë të çmimit. Do të dëgjojë argumentimin e strukturës së çmimit dhe do të thotë fjalën e fundit të çmimit për këtë fazë me objektivin që furnizimit të jetë i garantuar, furnizimit të jetë me një çmim ku të ardhurat e furnizueseve janë për të rezistuar pa humbje, por për të rezistuar dhe marzhi i fitimit do të ngrijë sipas fitimit që do të marrë bordi. Çdo furnizues që do të vendosë në tabelën e pikës së furnizimit të tij një çmim të ndryshëm nga ajo që vendos bordi do të humbasë pikën e karburantit. Kjo do të jetë e sanksionuar që pika e furnizimit merret në administrim nga shtetit. Ne si qeveri, MIE do të angazhohet për të krijuar rezervën e vet duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija kuptohet. Ky është për informacion. E do të jemi për ndihmë nëse shohim që problematika e furnizimit do të agravohet”, tha Rama.