Politika Rama me Kryeministrin e Luksemburgut: Ka qenë avokat i Shqipërisë për hapjen...

Rama me Kryeministrin e Luksemburgut: Ka qenë avokat i Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, i cili zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri dhe u prit me ceremoni shtetërore.

Rama e konsideroi homologun Bettel si avokatin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Luksemburgu dhe Kryeministri kanë qenë mbështetësit më të zëshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave për anëtarësim. Unë e falenderova përsëri dhe dua ta falenderoj dhe publikisht për faktin që në të gjitha rastet Kryeministri ka qenë avokat i yni edhe kur ne nuk kemi qenë të pranishëm.

Dua ta falenderoj që mbajti fjalën me një vonesë objektive për të vizituar Shqipërinë dhe më vjen mirë që kjo vizitë përkon me një vit të veçantë në historinë e marrëdhënieve tona me Luksemburgun 100 vjet nga njohja që Luksemburgu i bëri shtetit shqiptar”, tha Kryeministri Rama.

Dy Kryeministrat folën edhe për çështje të tjera dhe bashkëveprimin mes dy vendeve.

“Sot kemi diskutuar për atë që vjen më tutje. Kemi folur sigurisht për konfliktin dhe ndajmë të njëjtin qëndrim për agresionin rus dhe domosdoshmërinë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj të drejtë për çlirim. Kemi folur për vazhdimësinë e procesit të përafrimit politik mes BE dhe vendeve që negociojnë për t’u anëtarësuar në BE dhe kemi diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale. Luksemburgu është një vend me peshë të madhe njësoj si floriri që është i vogël por e ka peshën shumë të madhe. Ne dëshirojmë të kemi këtu më shumë interes dhe aktivitet nga kompanitë luksemburgeze.

Në Luksemburg ka një komunitet shqiptar shumë të respektuar dhe Kryeministri flet me admirim për shqiptarët që jetojnë në vendin e tij ashtu sikundër dua të mbyll këtë fjalë me një falenderim për Kryeministrin edhe për interesimin e tij të posaçëm për rajonin. Është e rëndësishme që të kuptohet se Luksemburgu në tryezën e BE është një zë i rëndësishëm dhe interesimi për rajonin, përpjekja për të nxitur bashkëpunimin rajonal, unë dua ta falenderoj dhe njëherë Kryeministrin”, u shpreh kreu i qeverisë Edi Rama.

Ndërsa Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel u shpreh se Shqipëria, por edhe Maqedonia e Veriut, e merituan hapjen e negociatave. Ai u shpreh se vonesat me të cilat u hasën Shqipëria dhe RMV u krijuan për shkak të politikave të brendshme të vendeve të BE-së.

“Për mua ka shumë gjëra që për të mos thënë që të jem avokati i Shqipërisë, por thjesht të them që të mos mbahen vende peng për arsye të interesave kombëtare. BE nuk është vetëm interes politik kombëtar. Nuk është një projekt ekonomik, politik, por është një projekt paqeje. Jemi rreth një tavoline, në atë kohë përgjigjia ishte arma, sot janë takimet, respekti. Nuk mund ta trajtojmë një vend në këtë mënyrë dhe kur detyrat janë bërë duhet ta njohësh dhe të thuash po, vazhdojmë përpara. Disa vende ishin më të ngadalta në njohjen e këtyre detyrave, por është e rëndësishme që arritëm të bënim përpara. Është fillimi i rrugës”, u shpreh Bettel.