Politika Rama me ndërtuesit në Durrës: Nisni sa më shpejt riparimet, ndryshe do...

Rama me ndërtuesit në Durrës: Nisni sa më shpejt riparimet, ndryshe do ju padis personalisht

Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij në Durrës ditën e sotme përveç takimit me banorët e prekur nga tërmeti dhe mbledhjes në Qendrën e Emergjencave ka vendosur që të merret dhe me një aspekt tjetër, që ka të bëjë me ndërtuesit dhe investitorët e pallateve në këtë zonë.

Fillimisht Rama ka kryer një takim privat me ndërtuesit e Durrësit, ku i ka komunikuar atyre se kanë përgjegjësi të plotë për dëmshpërblimin e të prekurve nga tërmeti dhe se duhet të nisin urgjentisht nga puna për riparimin e dëmeve në ndërtesat e tyre:

“Mendoj se për banesat që janë të pabanueshme, ndërtuesit janë për privim lirie. Por gjykata do ta vendosë këtë. Ajo që bëjmë ne është që këta ndërtues, ku ka dëme të mëdha për shkak të ndërtimit, Prokuroria t’i dërgojë në gjykatë. Në raste kur ka dëmtime, duhen bërë rikonstruksione. Aty ku ka dëme të riparohen. Nëse riparoni, do të qetësoni edhe ndërgjegjen tuaj.

Që nesër bashkia do jetë në dispozicionin tuaj, gati për të nisur punë. Ngrini menjëherë kantierët. Ne do vëmë njerëz mbi kokë. Kush tërhiqet nga kjo punë, do të jem unë dëshmitar. Ua keni detyrim popullit, ua keni për detyrë fëmijëve tuaj t’ua lini emrin pa njollë” – tha Rama.

Më pas përpara kamerave të mediave kryeministri është shprehur se ndërtuesit e zonës së Durrësit duhet që të dëmshpërblejnë të prekurit, ose në të kundërt do të jetë ai që do ti çojë personalisht në prokurori:

“Të riparohen ato mure menjëherë për ndryshe ata do ti çoj unë në ndjekje penale dhe do të jem personalisht dëshmitar. Qeveria ka për detyrë që të kthejë nëpër shtëpia njerëzit me çdo kusht.

Lejet e ekzekutuara jashtë lejes janë të dënueshme, dhe do shikohet kush e ka dhënë leje për ta futur në hipotekë. Unë dua thjesht dhe vetëm që këtu të jemi të vërtetë dhe të drejtë. Ne garantojmë që këta njerëz që mund të kthehen shpejt janë ata që i kanë pallatet e dëmtuar jo rëndë. Njerëzit që nuk kthehen dot shpejt i kemi çuar në apartamente me qira dhe hotele ku qiranë do jua paguajmë ne”, tha në fjalën e tij kryeministri sa i përket kësaj çështjeje.